Fjalë Kyçe

Shkon në dhjetë numri i të vrarëve në protestat e Irakut

Shkon në dhjetë numri i të vrarëve në protestat e Irakut

Forcat irakiane të sigurisë kanë përdorur armë zjarri në pjesën qendrore të Bagdadit të martën në mbrëmje për t’i zmbrapsur protestuesit.

Disa dëshmitarë kanë thënë se dhjetë persona janë vrarë dhe rreth 290 janë lënduar.

Policia përdori plumba lufte, plumba gome dhe granata shokuese për ta parandaluar kalimin e protestuesve mbi një urë në lumen “Tigris” drejt zonës së gjelbër në sheshin “Tahrir”, ku donin të protestonin kundër papunësisë, korrupsionit në qeveri dhe mungesës së rrymës dhe ujit.

Një mjek ka thënë se i ka parë personalisht trupat e katër viktimave, por pranoi se së paku dhjetë persona janë vrarë. Kjo shifër u konfirmua më vonë edhe nga një këshilltar i qeverisë, i cili e citoi një sistem informues që përdoret nga qeveria, shkruan Independent.

Protesta e së martës ishte e vogël, sepse në të morën pjesë vetëm 3 mijë persona, por reagimi i ashpër i autoriteteve mund ta shkaktojë një valë të re të protestave javën e ardhshme.

Personat e diplomuar kanë protestuar edhe më parë para ministrive për shkak të mospranimit të tyre në vendet e punës për të cilat janë të kualifikuar. Ata thonë se po punësohen vetëm kandidatët që janë besnikë ndaj partisë në pushtet.

Përdorimi i armëve në protesta mund ta sjellë një krizë për pushtetin e kryeministrit Adel Abdul-Mahdi, i cili edhe ashtu ka qëndruar në këtë pozitë më gjatë sesa është pritur.