Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate , Shpend Ahmeti, ka thënë se hetimet për punësime nuk duhet të ndalen vetëm në Telekom por duhet të përfshijnë edhe institucionet e tjera publike.
“Në fakt çdo zyrtar i lartë publik i zgjedhur do të duhej të raportonte të gjithë familjarët e punësuar në institucione publike, bashkë me datën e punësimit. Përndryshe hetimet e kufizuara do të përdoren për beteja partiake e jo për ta luftuar nepotizmin në institucionet publike”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Ahmeti ka thënë se është i sigurt që do të gjenden trungje familjare brenda institucioneve publike si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.
Kryetari i Prishtinës ka treguar se në çdo aplikacion për punë në institucione ndërkombëtare ku ka aplikuar gjithmonë ka qenë pyetja për t’i raportuar personat e familjes që punojnë në atë organizatë.
“Në Bankën Botërore ka qenë i ndaluar punësimi në të njejtën kohë i këtyre kategorive: Të afërmit që nuk kanë të drejtë punësimi: nëna, babai, djali, vajza, motra, vëllai, gjysmë motra, gjysmë vëllai, halla, xhaxhai, mbesa, nipi”, ka shkruar Ahmeti.