Fjalë Kyçe

Shpërthim në Ambasadën e Ukrainës në Spanjë, një i plagosur

Shpërthim në Ambasadën e Ukrainës në Spanjë, një i plagosur

Një punonjës në Ambasadën ukrainase në Madrid ka pësuar lëndime pasi hapi atë që mendohet se ishte një letër bombë të mërkurën pasdite, duke bërë që Kievi të paralajmërojë të gjithë diplomatët e tij që të rrisin masat e sigurisë.

Oleh Nikolenko, zëdhënës në Ministrinë e Jashtme të Ukrainës, ka thënë se Ambasada e saj në kryeqytetin spanjoll kishte pranuar një zarf si pjesë e një dërgese postare.

“Gjatë hapjes, zarfi ka shpërthyer në duart e punonjësit”, ka thënë Nikolenko për Associated Press.

Sipas tij, punonjësi ka pësuar lëndime të lehta, është hospitalizuar dhe se është duke e marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Ai po ashtu ka thënë se jeta e tij është jashtë rrezikut, derisa ka shtuar se punonjësit e tjerë nuk kanë pësuar lëndime.

Qeveria spanjolle ka bërë të ditur se letra, e cila nuk ishte e skanuar, ka shkaktuar “një lëndim të lehtë në gishtin e unazës të dorës së djathtë të punëtorit të Ambasadës”.

Ndërkaq, ekipet e forenzikës dhe të inteligjencës spanjolle janë duke e hetuar incidentin, derisa një hetim do të kryhet edhe nga Gjykata e Lartë e Spanjës.