Fjalë Kyçe

Shpërthimet godasin Kievin

Shpërthimet godasin Kievin

Disa shpërthime janë raportuar në kryeqytetin ukrainas, Kiev, më 31 dhjetor, teksa sirenat për sulme ajrore janë lëshuar në mbarë vendin për shkak të sulmeve ruse.

Sulmet e reja vijnë dy ditë pasi Rusia nisi një prej sulmeve më të mëdha ajrore ndaj Ukrainës, që nga nisja e luftës.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, përmes një postimi në Telegram, tha se një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur, përfshirë një gazetar japonez.

Dëme janë raportuar në disa qarqe të kryeqytetit ukrainas, përfshirë një hotel. Fotografitë dhe videot e publikaura në Twitter sfhaqën fasadën e dëmtuar të Hotelit Alfavito.

Sulmet ruse kanë goditur edhe vendet e tjera në Ukrainë, përfshirë rajonin e Mikolajivit dhe Helnitskit.

Në Mikolajiv, shefi i administratës ushtarake rajonale, Vitaliy Kim, konfirmoi se ka pasur sulme ruse.

“Pushtuesit kanë vendosur që të na e prishin ditën”, tha ai.

Sulmet e reja vijnë vetëm një ditë pasi Kievi u godit nga dronët e lëshuar nga Rusia në kryeqytetin ukrainas dhe në qytete të tjera.

Sipas Klitschko, Kievi u godit nga shtatë dronë, dy prej të cilëve “u rrëzuan me t’iu afruar kryeqytetit”, ndërkaq pesë të tjerë u penguan teksa po fluturonin mbi qytet.

Nga këto sulme nuk është raportuar për viktima.

Këto raportime vijnë në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij gjatë natës së premte, tha se Rusia nuk e ka braktisur planin e saj për marrjen e kontrollit të rajonit të Donjeckut. Ai paralajmëroi ukrainasit se në Vitin e Ri mund të ketë sulme në mbarë vendin.

“Ndoshta armiku sërish do të tentojë të na detyrojë që ta festojmë Vitin e Ri në errësirë. Ndoshta okupuesit po planifikojnë që të na bëjnë të vuajmë, duke kryer sulme ndaj qyteteve tona. Por, pavarësisht planeve të tyre, ne dimë një gjë për veten tonë: ne do të mbijetojmë. Do t’i dëbojmë, nuk kam asnjë dyshim”, tha ai.

Ndërkaq, gjatë adresimit të tij për Vitin e Ri, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi më 31 dhjetor se “e drejta morale dhe historike” është në anën e Rusisë, teksa shtetet perëndimore kanë dënuar pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës.