Vendimit për lirimin nga pagesa e taksës prej 10 për qind për pajisje të teknologjisë informative, i marrë afro 3 vjet më parë, ia pa “sherrin” kompania “Kosprod”.
Edhe pse kodi tarifor me të cilin importonte “reseiveret” është liruar nga kjo taksë, Dogana e Kosovës e ka gjobitur e më pas i ka bërë edhe kallëzim penal me pretendimin për shmangie të tatimit. I njëjti mall kishte hyrë disa herë pa paguar taksën dhe nuk ishte kontestuar nga Dogana.
“Por këtë produkt dogana në start nuk e kontestoi si kod doganor, por më vonë edhe ngriti një padi ndaj kompanisë sonë, për të cilën lëndë, pas ekspertizave, prokurorit dhe gjykatës, ne dolëm fitimtarë dhe fituam lëndën dhe u urdhërua Dogana që të zbatojë këtë urdhër dhe të lirojë komplet mallin, po nuk ndërmori asgjë, por pas një jave nga vendimi i gjykatës na dhanë një gjobë tjetër prej 10 mijë euro si në taksë retro për 66 mijë euro mall vlerë për vitet që kanë kaluar”, ka thënë pronari i “Kosprod” Misret Beqiri, raporton KOHA.
Por, përkundër që ky kallëzim penal është hedhur poshtë nga Gjykata dhe është urdhëruar kthimi i mallit, Dogana insiston se duhet të ndryshohet kodi tarifor.
Gjykata në vendimin e saj ka konstatuar se nuk ka shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, pasi që ky mall kontestues vjen nga Estonia, që është anëtare e Bashkimit Evropian dhe të dhënat në deklaratën eksportuese janë të besueshme, pasi të njëjtat u nënshtrohen procedurave të autoriteteve doganore të shtetit anëtar të BE-së.
Nga Dogana kanë konstatuar se ky produkt duhet të ketë kod tjetër tarifor që u nënshtrohet taksave.
“Në bazë të vendimit që e kemi prej sektorit tonë, ai mendon se kjo kompani ka lëvizur me kode tarifore për të cilat ka edhe shmangie… Po, produktet gjatë gjithë kohës ndryshojnë, reserveri merr karakterin”, ka thënë Stavileci.
Megjithatë, edhe kodi që po kërkon Dogana që ta ketë ky produkt e që i nënshtrohet taksës ka të njëjtin përshkrim me atë që lirohet nga taksa.
Dogana, e pyetur se a ka të drejtë kompania t’i ndërrojë kodet, nuk është përgjigjur, duke thënë se ato çdo herë ndryshohen varësisht nga evoluimi i pajisjes.
Por, thotë se ka pasur disa kompani që kanë bërë kundërvajtje për shkak se kanë tentuar të fusin produkte me kode që nuk i nënshtrohen taksës.
Megjithatë, kompania thotë se ka futur mallin me të njëjtin kod, siç ka bërë edhe para vendimit për lirim nga taksa.
“Dëmet janë shumë të mëdha, na ka qitë prej tregut me këtë produkt, na ka bo dëm shumë të madh. Është malli që qëndron në depo doganore që 1 vit dhe i skadon garancion dhe dëmi ekonomik është shumë i madh. Mbi 100 mijë euro është vlera e mallit pa taksa doganore, plus gjoba të tjera. Na po rrezikohemi si kompani, është taksirat që duhet t’i largojmë disa punëtorë nga puna”, ka thënë Beqiri.
Ka thënë se ka bërë disa padi ndaj Doganës për gjobat e shqiptuara, ndërsa thotë se do të ndjekë edhe hapa të tjerë ligjorë.