Fjalë Kyçe

Shumë pacientë shfaqin probleme të reja shëndetësore pas COVID-19

Shumë pacientë shfaqin probleme të reja shëndetësore pas COVID-19

Me qindra e mijëra amerikanë kanë kërkuar trajtim mjekësor për problemet shëndetësore të pas-COVID-it, me të cilat nuk kanë qenë të diagnostikuar para se të infektoheshin me koronavirus, ka treguar të martën studimi më i madh i kryer deri më tani mbi të dhënat e simptomave afatgjata te pacientët me COVID-19.

Studimi, duke i gjurmuar të dhënat e sigurimeve shëndetësore të gati 2 milionë njerëzve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës te personat që janë infektuar me koronavirus gjatë vitit të kaluar, ka zbuluar se një muaj ose më shumë pas infektimit, pothuajse një e katërta e tyre – rreth 23 për qind – kanë kërkuar trajtim mjekësor për telashe të reja shëndetësore, ka raportuar të martën e përditshmja amerikane “New York Times”.

Të prekurit ishin të të gjitha grupmoshave, përfshirë edhe fëmijët. Problemet më të zakonshme të shëndetit përfshinin dhimbjet në nyje dhe muskuj, vështirësi në frymëmarrje, ngritja e nivelit të kolesterolit, plogështia dhe lodhja, si dhe shtypja e lartë e gjakut.

Ndër telashet e tjera përfshiheshin simptomat intestinale, migrena, problemet me lëkurën, anomalitë e zemrës, çrregullimet e gjumit dhe çrregullimet e shëndetit mendor, si ankthi dhe depresioni.

Problemet shëndetësore pas-COVID ishin të zakonshme edhe në mesin e personave që nuk ishin sëmurë fare nga virusi, ka zbuluar studimi. Përderisa gati gjysma e pacientëve që ishin hospitalizuar shkaku i sëmundjes kanë përjetuar probleme të mëvonshme mjekësore. Rastet e tilla janë raportuar te 27 për qind e personave që kishin simptoma të lehta ose të moderuara të sëmundjes, dhe te 19 për qind e atyre që ishin asimptomatikë, ka shkruar NYT.

“Një gjë që ishte befasuese për ne ishte përqindja e lartë e pacientëve asimptomatikë që janë përfshirë në këtë kategorinë e COVID-it të gjatë”, ka thënë për gazetën Robin Gelburd, kryetare e “FAIR Health”, një organizatë kjo jofitimprurëse që zhvilloi studimin bazuar në bazën më të madhe të të dhënave në SHBA për kërkesa private të sigurimeve shëndetësore.

Më shumë se gjysma e 1.959.982 pacientëve, të dhënat e të cilëve janë vlerësuar, nuk kanë raportuar asnjë simptomë nga infeksioni me koronavirus. Dyzet për qind e tyre kishin simptoma, por nuk kanë pasur nevojë për hospitalizim, përfshirë 1 për qind e atyre që për simptomë të vetme kishte humbjen e shijes apo nuhatjes; vetëm 5 për qind ishin hospitalizuar.

Gelburd ka thënë se fakti që personat asimptomatikë mund të kenë simptoma të pas-COVID-it është i rëndësishëm për t’u theksuar, ashtu që pacientët dhe mjekët mund të mund ta marrin parasysh mundësinë se disa probleme shëndetësore mund të jenë faktikisht pasoja të koronavirusit.

“Ka disa njerëz që mund të mos e kenë ditur se kanë pasur COVID-in”, ka thënë ajo. “Por nëse vazhdojnë që të përballen me disa prej këtyre gjendjeve, që janë të pazakonta për historikun e tyre shëndetësor, atëherë mund të jetë e vlefshme që të bëhen hulumtime të mëtejshme nga mjeku profesionist, me të cilin ata konsultohen”, ka shtuar ajo, duke folur për të përditshmen amerikane.

Raporti, i cili është publikuar të martën në uebfaqen e organizatës, ka analizuar të dhënat e personave të diagnostikuar me COVID-19 midis muajve shkurt dhe dhjetor 2020, duke i gjurmuar ata qysh deri në shkurtin e 2021-s. Kësisoj është zbuluar se 454.477 persona janë këshilluar me ekspertët shëndetësorë lidhur me simptomat që kanë shfaqur 30 apo më shumë ditë pas infektimit, ka shkruar NYT.

“FAIR Health” ka njoftuar se analiza është vlerësua nga një recensues i pavarur akademik, porse nuk i ishte nënshtruar rishikimit zyrtar nga kolegët.

Në studimin e ri, problemi më i zakontë për të cilin pacientët kanë kërkuar asistencë mjekësore ishte dhimbja – përfshirë inflamacionin e nervave dhe dhimbjet e shoqëruara në nyje dhe muskuj. Një gjendje e tillë, sipas NYT, është raportuar nga më shumë se 5 për qind e pacientëve apo gati 100.000 njerëz. Vështirësi në frymëmarrje, përfshirë gulçimin, kanë përjetuar nga 3.5 për qind e pacientëve që ishin shëruar më herët nga COVID-19.

Ndërkaq pothuajse 3 për qind e pacientëve kanë kërkuar trajtim për simptomat që ndërlidheshin me plogështinë dhe lodhjen, një kategori kjo e gjerë që mund të përfshijë edhe telashet si lodhjen, që përkeqësohet pas aktivitetit fizik apo mendor. Këto efekte janë raportuar kryesisht nga personat që kanë vuajtur nga i ashtuquajturi COVID i gjatë.

Probleme të tjera të reja për pacientët, veçanërisht te të rriturit prej 40 dhe 50 vjeç, përfshinin ngritjen e nivelit të kolesterolit, me të cilin janë diagnostikuar 3 për qind e të gjithë pacientëve pas COVID-it, dhe shtyja e lartë e gjakut që ka prekur rreth 2.4 për qind të pacientëve, ka bërë të ditur raporti i publikuar nga NYT.

Mjeku Al-Aly ka theksuar se diagnozat e tilla shëndetësore, të cilat zakonisht nuk janë konsideruar si pasoja të virusit, e bëjnë “gjithnjë e më të qartë se pas-COVIDI apo COVID-i i gjatë kanë ndikim në prishjen e makinerisë metabolike”.