Fjalë Kyçe

Shumica e amerikanëve të pavaksinuar besojnë se vaksina është më e rrezikshme se COVID-19

Shumica e amerikanëve të pavaksinuar besojnë se vaksina është më e rrezikshme se COVID-19

Shumica e të rriturve të pavaksinuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin vaksinën kundër koronavirusit si një rrezik më të madh për shëndetin e tyre se sëmundja e shkaktuar nga vetë virusi, ka gjetur një sondazh i kryer së fundmi.

Fondacioni i Familjes Kaiser ka realizuar një hulumtim, të cilin e ka publikuar të mërkurën e i cili ka gjetur se ka një ndarje të madhe mes të rriturve të vaksinuar dhe atyre të pavaksinuar lidhur me atë se çfarë mendojnë se kush është rreziku më i madh gjatë pandemisë, shkruan The Washington Post.

Sipas sondazhit, më shumë se gjysma e të rriturve të vaksinuar, apo 53% e tyre besojnë se vaksinimi paraqet rrezik më të madh për shëndetin e tyre sesa infektimi me COVID-19.

“Në kontrast me këtë, 88% e të rriturve të vaksinuar besojnë se infektimi me koronavirus është rrezik më i madh për shëndetin se vaksina”, thuhet në raport.

Raporti po ashtu thekson se të rriturit e pavaksinuar janë më pak të shqetësuar rreth variantit Delta i cili është më i transmetueshëm, dhe kanë më pak besim në sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave, krahasuar me ata që kanë marrë tashmë doza të vaksinës.

Po ashtu, 57% e të rriturve të pavaksinuar besojnë se mediat “në përgjithësi e kanë ekzagjeruar” seriozitetin e pandemisë, në krahasim me 17% të të vaksinuarve që mendojnë të njëjtën gjë.

Sondazhi i realizuar mes 15 dhe 27 korrikut, ka ardhur në kohën kur administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, gjithnjë e më shumë e përkufizon shpërthimin aktual me rastet e reja, si një “pandemi të të pavaksinuarve”.

“Nëse jeni i pavaksinuar, ka më shumë mundësi që të merrni COVID-19, dy, të hospitalizohen dhe tre, të vdisni nga virusi”, ka shkruar të martën Bideni në llogarinë e tij në Twitter.

“Kjo është një tragjedi”, ka vazhduar ai.

Në fillim të kësaj jave, SHBA-ja ka arritur cakun që kishte vënë Bideni muaj më parë, sipas të cilit deri më 4 korrik do të vaksinohej 70% e popullatës.

Në javët e fundit, numri i rasteve ditore pozitive në SHBA, është rritur për 52%.