Fjalë Kyçe

Si lindën qentë e sotëm të shtëpisë, nga ujqërit e Siberisë së lashtë

Si lindën qentë e sotëm të shtëpisë, nga ujqërit e Siberisë së lashtë

Miku më i mirë i njeriut, qentë e sotëm të shtëpisë, e kanë origjinën nga ujqërit e Siberisë së Epokës së Akullit, thotë një studim i ri.

Deri tani shkencëtarët kishin ditur që qentë e shtëpisë kanë evoluar nga një popullatë ujqërish diku në Azi ose në Evropë, ndërsa studimet e reja kanë përcaktuar rajonin e saktë dhe kohën e përafërt kur ndodhi ky transformim.

Një kombinim studimesh të ADN-së dhe provave arkeologjike, kanë zbuluar seçdo qen që ne përkëdhelim sot, qoftë zagar, pastor, haski apo çiuaua, e ka origjinën nga Siberia Lindore rreth kohës 21,000 vjet Para Erës Sonë.

Ajo që është më interesante në studim, mund të jetë fakti se zbutja e tyre ka ndodhur në mënyrë natyrale, dhe jo e nxitur nga njeriu.

Studimi i kryer nga shkencëtarë britanikë, francezë e amerikanë, sugjeron se marrëdhënia e afërt mes qenve dhe njeriut është nxitur nga ndryshimet klimatike.

Në kulmin e Epokës së Akullt (nga 21,000 deri në 17,000 p.e.s.), temperaturat ranë aq shumë në Siberi saqë kafshët që përbënin dietën normale të ujqërve (drerët, bizonët, kuajt e egër e të tjera) u bënë aq të rralla ose të zhdukura, sa që ata u detyruan të afrohen në komunitetet njerëzore, duke kërkuar për kocka apo mbeturina të tjera ushqimore të hedhura prej tyre.

Ujqërit kishin dhunti të mësonin shpejt aftësi të reja ose siç quhet nga studiuesit ‘specialitete ekonomike e kulturore’, që i kaluan më pas te pasardhësit e tyre.

Kjo është që duket se ka ndodhur me ujqërit gri të Siberisë, të cilët gradualisht evoluan në qentë e parë, siç i njohim ne sot.

“Zbutja e ujqërve që ndodhi në Siberi, i përgjigjet shumë nga pyetjeve që ne kemi pasur gjithmonë mbi origjinën e marrëdhënies njëri-qen”, tha arkeologia e Universitetit të Durham, Dr Angela Perri drejtuese e studimit.

Teksa ky proces kaloi shekuj të tërë, ujqërit humbën disa nga aftësitë e tyre të gjuetisë, dhe si pasojë u bënë gjithnjë e më të varur nga njeriu për ushqimin e tyre. Arkeologët rusë duke gërrmuar në mbetjet e kampeve njerëzore të Epokës së Gurit në Siberi kanë gjetur kafshime të mundshme ujqërish në mbetjet e ushqimeve njerëzore.

Shkencëtarët thonë se ushqimi i ujqërve me mbeturinat njerëzore (siç ndodh sot me dhelprat), konsiderohej nga njerëzit si shqetësim apo dhe kërcënim.

Por teksa ujqërit bënë fakt të kryer prezencën e tyre, ata nisën të mbanin larg predatorët e tjerë nga komunitetet njerëzore, për të ruajtur burimin e ri të ushqimit të tyre. Dhe kështu duket se ka lindur marrëdhënia me avantash të përbashkët mes njeriut dhe ujqërve që përfitonin nga mbeturinat e tyre.

“Historia e qenit dhe e njeriut është shumë e ndërlidhur. Evoluimi i qenit është bërë paralelisht me historinë tonë njerëzore dhe kjo demonstrohet gjerësisht gjatë historisë,” tha bashkëautori i studimit nga Universiteti i Oxford, Greger Larson.