Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil B.Hoxha, bashkë me anëtarët e kryesisë, Gjevahira Kolenovic dhe Milot Ibrani, janë takuar sot me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, Dejona Mihali dhe Kreshnik Ahmeti.
Në kuadër të këtij takimi, udhëheqësit sindikal kërkuan nga Lëvizja Vetëvendosje, t’i trajtojë me prioritet çështjet e pazgjidhura të Transmetuesit Publik siç është prona, objekti dhe ligji i ri. Sindikata pret që këto procese me rëndësi jetike për funksionimin e RTK-së të marrin epilog nga Qeveria dhe Kuvendi i ri.
“Si veprim urgjent i Kuvendit duhet të jetë zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së, në mënyrë që këtij organi mbikëqyrës t’i kthehet funksionaliteti”, thuhet në njoftimin për media.
Në kumtesë, thuhet se Kuvendi i Kosovës si themelues i Transmetuesit Publik, përmes komisioneve përkatëse dhe zyrës ligjore duhet ta trajtojë procesin e përzgjedhjes së drejtorit gjeneral të RTK-së, i cili u realizua në kundërshtim me ligjin e RTK-së.
“Nga udhëheqësit sindikal gjithashtu u tha se formimi i komisionit hetues parlamentar, është mëse i nevojshëm për ta kuptuar të vërtetën rreth shpenzimit të parasë publike në RTK, përfshirë ligjshmërinë e kontratave të shumta të lidhura pa kontroll dhe pa mbulesë financiare, të cilat e kanë sjellë RTK-në në prag të falimentimit”, thuhet në përfundim.