Fjalë Kyçe

Sipas analistëve, Haradinaj është ish-kryeministër e jo kryeministër në detyrë

Sipas analistëve, Haradinaj është ish-kryeministër e jo kryeministër në detyrë

Javën e kaluar Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit të Kosovës, për shkak të ftesës që mori nga Gjykata Speciale në Hagë.

Haradinaj, sot në Gjykatën Speciale në Hagë që shkoi me ftesë si i dyshuar, u mbrojt në heshtje.

Lexo edhe: Haradinaj mbrohet në heshtje në Hagë

Derisa të gjitha partitë politike janë shprehur të gatshme për zgjedhje, presidenti Hashim Thaçi ende s’ka konsultuar partitë nëse do të propozojnë mandatarin e radhës. Teksa flitet për zgjedhje, por ende s’janë afër, analistët politikë vlerësojnë se Ramush Haradinaj tashmë është ish-kryeministër dhe nuk mund të cilësohet kryeministër në detyrë.

Analisti në Institutin GAP, Bekim Salihu, në një sqarim për Koha.net tha se “termi kryeministri në dorëheqje” nuk ekziston, dhe se Haradinaj është ish-kryeministër.

“Neni 95, pika 5 e Kushtetutës, thuhet se nëse Kryeministri jep dorëheqje, ose për arsye të tjera posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, tha Salihu.

Salihu thotë se vetëm në nenin 100, pika 6, thuhet se “Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje”.

Edhe nalisti politik Albert Krasniqi thotë se Haradinaj tashmë është ish-kryeministër.

“D.m.th Kushtetuta po bën dallim në mes të rastit kur: 1. Kryeministri jep dorëheqje; dhe 2. Votohet mocioni i mosbesimit për Qeverinë. Në rastin e parë, nuk kemi fare Qeveri, postet janë të zbrazëta, ministrat, zëvendësministrat dhe këshilltarët e tyre duhet t’i lirojnë menjëherë pozitat. Kjo Qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim. Në rastin e dytë, qeveria konsiderohet në dorëheqje, por që i ushtron detyrat deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Kompetencat e qeverisë në largim nuk janë të kufizuara ligjërisht. Ramushi nuk është kryeministër në detyrë, por ish kryeministër”, ka sqaruar Krasniqi.

Dje Lëvizja Vetëvendosje drejtoi akuza ndaj Ramush Haradinajt, që edhe pse ka dhënë dorëheqje vazhdon të marrë vendime. VV-ja tha se roli i Qeverisë së Kosovë duhet të jetë vetëm transitor, të mirëmbajë funksionimin e administratës publike e të kryejë pagesat rutinore në pajtim me buxhetin e aprovuar.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që sa më parë të caktojë datën e zgjedhjeve, tha se kjo qeveri nuk ka më mandat për të implementuar program qeverisës dhe nuk mund të marrë asnjë vendim.

Kujtojmë se që prej shpalljes së pavarësisë së saj, më 2008, Kosova nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme e cila e ka çuar deri në fund mandatin kushtetues prej katër vjetësh. Në vazhdimësi, qeveritë e Kosovës, të përbëra nga koalicione partiake, kanë hyrë në mocione mosbesimi dhe janë detyruar të dorëhiqen, duke e futur Kosovën në cikle të parakohshme zgjedhore.