Fjalë Kyçe

Situata me koronavirus në SHBA raportohet “shqetësuese”

Situata me koronavirus në SHBA raportohet “shqetësuese”

Numri i rasteve të prekura me koronavirus është duke u rritur në gati tre çerekë të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që përhapja e koronavirusit në Evropë është duke rezultuar me vendime për kufizime të reja dhe paralajmërime për izolime tjera.

Pandemia me koronavirus është duke mbushur spitalet me pacientë në të dyja anët e Atlantikut, duke shtyrë autoritetet nga shteti amerikan Viskonsin e deri në Holandë, që të bëjnë paralajmërime për sisteme të mbigarkuara shëndetësore.

Numri i personave të vdekur ka prekur rekorde të reja në gjashtë shtete amerikane në perëndim të Shteteve të Bashkuara.

Mesatarja shtatëditore e numrit të vdekjeve brenda një 24-orëshi në SHBA, qëndron në 757, derisa numri total i viktimave ka prekur shifrën 222,000.

Zëvendës-drejtori i sëmundjeve infektive në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, Jay Butler, ka thënë se territori amerikan po përballet me “trend shqetësues”, të shtimit të rasteve me koronavirus.

Butler ka thënë më 21 tetor se një faktor i rritjes së shkallës së infektimit është qëndrimi i njerëzve në ambiente të mbyllura, pas ftohjes së motit.

Ai ka shtuar se “organizimet më të afërta me familjen, miqtë dhe fqinjtë mund të ndikojnë në rritje të infektimeve”, meqë aty njerëzit i kushtojnë më pak rëndësi vendosjes së maskës dhe distancimit fizik.

Në Evropë, nga Polonia deri në Portugali, shtetet janë duke vendosur masa të reja kufizuese dhe paralajmërime se masa tjera do të vijnë.

Në mesin e masave të marra për luftim të koronavirusit janë: maskat e detyrueshme, ndalimi i organizimeve grupore, mbyllja e bareve dhe restoranteve, ose edhe izolime të plota shtetërore.