Fjalë Kyçe

Situatë e rënduar me vërshime edhe në Gjakovë, disa fshatra mbesin pa ujë të pijes

Situatë e rënduar me vërshime edhe në Gjakovë, disa fshatra mbesin pa ujë të pijes

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime gjatë ditës së diele në disa qytete të Kosovës. Vërshimet janë paraqitur edhe në qytetin e Gjakovës. Meteo Ballkan ka postuar një video në rrjetin social Facebook.

Nga pamjet e postuara mund të shihet se gjendje e rënduar me vërshime shihet në urën Muglica në Gjakovë.

Pamjet tregojnë se lumi që kalon nën këtë urë edhe ka filluar të dalë nga shtrati.

Telegrafi ka provuar të kontaktojë me kryetarin e kësaj komune, Ardian Gjini por i njëjti nuk është lajmëruar në telefon.

E pas reshjeve të shiut në këtë komunë janë shkaktuar probleme edhe me ujë të pijes.

KRU “Gjakova”, ka njoftuar se si pasojë e situatës së krijuar nga të reshurat kanë problem me furnizim për banorët e fshatrave të Rëkës së Keqe, të cilëve aktualisht iu është ndërprerë furnizimi me ujë.

“Po ashtu njoftojmë banorët e fshatit Gërqinë të cilët furnizohen përmes burimit vetanak për momentin uji nuk është i pijëshëm si pasojë e turbullirës. Sigurojmë konsumatorët se ekipet e KRU “Gjakova” janë mobilizuar që në orët e para të ditës në stabilizim të gjendjes”, thuhet në njoftim.

Ndryshe situatë të rënduar deri më tani me vërshime kishte edhe në qytetin e Pejës, Istogut, Mitrovicës, Vushtrrisë e Junikut.