Fjalë Kyçe

“S’kemi kohë për të humbur”, Bill Gates përshkruan veprimet për ta luftuar koronavirusin

“S’kemi kohë për të humbur”, Bill Gates përshkruan veprimet për ta luftuar koronavirusin

Derisa qeveritë dhe qytetarët në gjithë botën po përpjekjen të veprojnë në mënyra të ndryshme ndaj koronavirusit, Bill Gates thotë se “nuk ka kohë për të humbur” dhe një numër i veprimeve duhet të ndërmerren menjëherë për t’u ballafaquar me këtë krizë.

E hapat duhet të ndërmerren edhe për krizat e ardhshme.

Në një postim në blogun e tij “GatesNotes” – “Si t’i përgjigjemi Covid-19 (koronavirusit)”, themeluesi i Microsoftit dhe miliarderi filantropist shkruan se shpëtimi i jetëve tani është padyshim çështja më e rëndësishme, por avancimi i mënyrës së reagimit të botës ndaj një shpërthimi ka pasoja afatgjate.

“Javën e kaluar, COVID-19, ka filluar të sillet shumë si patogjen një-herë-në-shekull për të cilin jemi shqetësuar”, ka shkruar Gates. “Shpresoj se nuk është aq keq, por duhet të supozojmë se do të jetë ashtu derisa ta kuptojmë të kundërtën”.

Në përshkrimin e hapave që duhet ndërmarrë qeveritë lokale, shtetërore dhe kombëtare, Gates ka thënë se donacionet qeveritare duhet t’i ndihmojnë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të përgatiten dhe puna për trajtime dhe vaksina duhet përshpejtuar.

Por, janë të nevojshme ndryshimet më të mëdha sistematike në mënyrë që komuniteti global të mund të përgjigjet “në mënyrë më efikase dhe efektive kur të arrijnë epidemitë tjera”, ka thënë ai.

Në vijim ju sjellim disa pika kryesore që Gates i ka përmbledhur për ta luftuar koronavirusin:

Është thelbësore të ndihmohen vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme për të forcuar sistemin e tyre të kujdesit parësor shëndetësor;
Bota duhet të investojë në mbikëqyrjen e sëmundjeve, duke përfshirë një bazë të të dhënave e cila është menjëherë e qasshme për organizatat përkatëse dhe rregullat që i kërkojnë vendet për të shpërndarë informacionet e tyre;
Duhet të ndërtojmë një sistem i cili mund të zhvillojë vaksina dhe antivirale të sigurta dhe efektive, të aprovohen ato dhe të shpërndahen miliarda doza brenda disa muajve nga zbulimi i një patogjeni të shpejtë;
Përveç zgjidhjeve teknike, janë të nevojshme edhe përpjekjet diplomatike për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbim të të dhënave;
Buxhetet për këto përpjekje duhet të rriten disa herë;
Qeveritë dhe industritë do të duhet të arrijnë një marrëveshje: Gjatë një pandemie, vaksinat dhe antiviralet nuk do t’i shiten thjesht një ofertuesi më të madh. Ato do të jenë në dispozicion dhe të përballueshme për njerëzit që janë në nevojë më të madhe.
Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, fondacioni “Bill & Melinda Gates Foundation” ka angazhuar deri në 100 milionë dollarë për përgjigje globale ndaj koronavirusit për të ndihmuar në forcimin e përpjekjes së zbulimit, izolimit dhe trajtimit; për të mbrojtur popullsinë në rrezik; dhe të zhvillojë vaksina, trajtime dhe diagnostikime.