Ish-koordinatori nacional për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka thënë se dërgimi i Rezolutës për ndalimin e referendumit të Serbisë në Kosovë ka qenë veprim i panevojshëm. Ai ka shtuar se nuk mund të konsiderohet fitore zbatimi i Kushtetutës në vend.
Hyseni po ashtu thotë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur kohë të bisedojë me vendet e Quintit lidhur me ndalimin e këtij referendumi dhe nuk ka pasur nevojë të vijë puna deri tek komunikata e tyre që të lejohet ai referendum.
“Zbatimi i kushtetutës së vendit në të gjithë territorin nuk mund të konsiderohet as fitore as humbje. I kanë kërkuar parlamentit, e kanë pyetur nëse duhet të zbatojnë Kushtetutën apo jo. Kjo është në vetvete anakronike. Nuk ka pasur nevojë të pyetet Kuvendi nëse ka nevojë të zbatohet Kushtetuta. Askush nuk e debaton karakterin anti-kushtetues të mbajtjes së referendumit. Kurti ka pasur kohë të komunikojë me Quintit e të koordinoheshin që të mos binin në befasi. Që të mos lejohej referendumi serb në Kosovë. Rrjedhimisht që të mos vinte deri tek një komunikatë e Quintit për këtë. Është dashur të ketë komunikim dhe koordinim për këtë punë”, tha ai në emisionin Pressing në T7.
Ai tutje thotë se pyetja e shtruar në rezolutë është retorike dhe se duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë sa më shpejt në mënyrë që të mos ketë këso situata në të ardhmen.
“Në Kuvend është bërë një pyetje retorike ku është ditur përgjigja dhe është e dëmshme se si opozita është manipuluar për këtë çështje kushtetuese. Ka qenë praktikë por është ditur që një ditë të marrë fund. Por duhet të merrte fund me një zgjidhej në pako e problemit me Serbinë. E shoh si urgjencë të jashtëzakonshme për shkak të politikave ndërkombëtare”, shtoi ai.