Vala e re e arkitektëve të talentuar me origjinë shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në vende perëndimore është duke u shtuar çdo ditë. Është kjo një dukuri jo e papritur, nëse kemi parasysh se arkitektët kryesorë në Perandorinë Osmane kanë qenë me prejardhje nga mjedisi ynë, me Mimar Sinanin në krye. Shembuj të kohërave më të reja, në Evropën e viteve 1800, janë Karl von Ghega, inxhinieri dhe arkitekti më prominent austriak i asaj kohe, si dhe Luigi Giura, inxhinier dhe arkitekt italian, i cili ndërtoi urën e parë varëse në Evropën kontinentale, shkruan sot Koha Ditore.
Arkitekti Sokol Malushaga jeton dhe vepron në New York, është bashkëpronar me Eduard Malushin në “Ari Group”, kompani arkitektonike-ndërtimore që është especializuar në projekte ultraluksoze në Manhattan.
Sokoli ka studiuar arkitekturën në Cooper Union, një nga kolegjet më të respektuara në botë. Punimi që lidhet me tezën e tij të diplomës (1997) është zgjedhur të shfaqet në Cooper Union në ekspozitën “Arkiva dhe objekti – Virtuale dhe fizike”,ekspozitë që ka për qëllim t’u bëjë homazh pedagogëve të këtij institucioni,duke prezantuar projektet e studentëve të tyre të 50 vjetëve të fundit.