Fjalë Kyçe

Sot nis shqyrtimi fillestar për “Veteranët e rrejshëm”

Sot nis shqyrtimi fillestar për “Veteranët e rrejshëm”

Sot pritet të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj 12 të akuzuarve në rastin e njohur si “Veteranët e rrejshëm”.

12 të akuzuarit që do të përgjigjen të parët janë pjesëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve. Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, kanë marrë ftesat nga Prokuroria Speciale.

Njëri nga të akuzuarit në këtë rast, është edhe anëtari i komisionit, Xhavit Jashari. Ai ka pohuar për KosovaPress se nesër në orën 10:00 do të fillojë shqyrtimi ndaj 12 të akuzuarve, ku do të njihen edhe zyrtarisht me akuzat të cilat ua ngarkon Prokuroria.

Jashari ftesën ndaj tij e ka quajtur spektakël politik.

“Ftesën na i kanë dërguar prej orës 10:00. Unë mendoj se ky është një spektakël politik dhe medial. Nuk jam unë ai që ja kam njohur dikujt të drejtën e veteranit. Megjithatë, prokuroria e kanë paraparë kështu, unë jam i gatshëm t’i përgjigjem organeve të drejtësisë, në çdo kohë dhe në çdo moment. Dhe absolutisht nuk brengosem për këtë çështje. Është një lojë politike. E kanë futur emrin tim aty, ata e dinë pse e kanë fut emrin”, tha ai.

Sa i përket dyshimeve të listave të fryra të veteranëve, edhe pse ka qenë në komision, Jashari mohon të ketë pasur dorë në këtë proces.

“Nuk mundet organizata e veteranëve me dit këtë çështje, sepse unë di plotë veteranë që nuk kanë marrë kartela dhe nuk janë anëtarë të shoqatës. Unë kam qenë në komision, por ata që ja kanë njohur të drejtën janë komandantët e zonave, duke filluar prej të Istogut. Ata e kanë ditur se kë e kanë pasur ushtar, sepse unë tash nuk mund ta di as 0,1 për qind se sa ka pasur ushtar. Unë absolutisht nuk e di, edhe pse kam qenë në komision”, ka përfunduar ai.

Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 12 ish-anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Veteranit të UÇK-së. Prokuroria Speciale i akuzon ata për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjykata ia kishte kthyer për përmirësim dhe qartësim këtë aktakuzë Prokurorisë Speciale, me arsyetimin se përshkrimi faktit i veprës penale ishte konfuz dhe si i tillë nuk lejonte mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të procesit.