Me fillim prej orës 10:00 pritet të nisë përpjekja e pestë për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Përpjekjet nisën më 15 prill, kur u refuzua raporti i komisionit për verifikimin e mandateve. Ky raport u kalua tek më 19 prill në seancën e tretë. E në atë seancë, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve dështoi në dy tentativa që ta zgjedhë Albulena Haxhiun kryeparlamentare. Ndërsa më 21 prill dështoi edhe seanca e katërt. Në këtë seancë, VV-ja kërkoi “kohë shtesë” pasi pa se qëndrimet e partive opozitare nuk ndryshuan për çështjen e kryeparlamentarit.
Për t’u përmbyllur me sukses seanca konstituive duhet të votohen kryetari i Kuvendit e edhe nënkryetarët e tij. Në të kundërtën, pa ndonjë afat kushtetues, deputetët obligohen të mblidhen çdo 48 orë.
E ngërçi politik duket se rrezikon të thellohet. Vetëm një ditë para seancës së pestë, palët kanë treguar se janë të palëkundura në qëndrimet e tyre. Teksa Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidaturën e Albulena Haxhiut, subjektet që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë kanë refuzuar çfarëdo kompromisi përderisa nuk ndryshohet emri i kandidatit.