Analisti politik, Nexhmedin Spahiu ka thënë se nuk beson që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është i njoftuar për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse për këtë marrëveshje pyeten Amerika dhe Rusia.
“Amerikanët llogarisin se çfarëdo që të jetë marrëveshja pala kosovare do ta nënshkruajë”.
Sa i përket vendosjes së taksës për produktet serbe dhe thirrjeve të fundit që ajo të hiqet, sipas Spahiut do të ishte dështim nëse do të ndodhte kjo.
“Nëse Kryeministri Haradinaj arrin të qëndrojë deri në fund, deri në fund të vitit, kjo sigurisht se do të ishte sukses i tij. Por, nëse Qeveria bjen dhe vjen qeveria tjetër që ta heqë taksën, ky mund të quhet një dështim edhe për Kosovën edhe për Haradinajn në veçanti”.
“Do ta shohim nëse do të mund t’i qëndrojë presionit të Amerikës dhe vendeve të tjera të Perëndimit”.
“Ne jemi vend i vogël, nuk mund të shtyhemi kokë më kokë me fuqitë e mëdha, si p.sh., Brazili, Irani… Edhe Serbia ka luftuar me NATO-n. Ne nuk kemi komoditet që të shtyhemi. Varemi nga përkrahja ndërkombëtare, sepse me ata kemi arritur gjithçka. Duhet të përpiqemi që bëjmë politikë vetanake, por jo të shkojmë ndesh me fuqitë e mëdha”.
“Në politikën e jashtme, Haradinaj po merr hapa të gabuar. Po i bie sëpatë këmbës së vet. Ai do të mund
të bënte gjëra më të mençura, që ta forconim pozitën e tij si kryeministër dhe pastaj pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Spahiu për Klan Kosoven.
“Në aspektin e votave, Haradinajt i ka sjell një dobi, aq më tepër kur të gjitha ata që mburreshin me vendosjen e taksës u tërhoqën dhe ia lanë të gjitha meritat në shpinë”.
“A do të mund t’i qëndrojë presionit – kjo është pikëpyetje”.