Fjalë Kyçe

Spanja shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendos orët policore

Spanja shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendos orët policore

Spanja ka shpallur sërish gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka vendosur orët policore në mbrëmje në përpjekje për të kontrolluar rritjen e re të rasteve me Covid-19.

Kryeministri Pedro Sançez tha se midis orëve 23:00 dhe 06:00 do të ndalohet qarkullimi dhe se masat do të hyjnë në fuqi të nga dita e sotme.

Nën gjendjen e jashtëzakonshme, autoritetet lokale mund të ndalojnë edhe udhëtimin midis rajoneve, tha ai.

Sançez tha se ai do t’i kërkojë parlamentit të miratojë një zgjatje të masave të reja nga 15 ditë në gjashtë muaj.

Spanja u godit rëndë gjatë valës së parë të pandemisë në fillim të këtij viti dhe vendosi një bllokim shumë më kufizues – një nga më të ashpërit në botë.

Si shumë rajone të tjera evropiane, megjithatë, ajo është goditur nga një valë e dytë e infeksioneve.

“Situata nëpër të cilën po kalojmë është ekstreme”, tha sot Sançez në një fjalim televiziv, duke shtuar se “është më e rënda në gjysmëshekullin e fundit.”

Lëvizja midis rretheve do të përcaktohet nga udhëheqësit rajonalë dhe ka të ngjarë të varet nga nevoja e punës dhe mjekësisë.

Ekziston gjithashtu një kufizim në mbledhjet publike dhe private të familjeve të ndryshme për një maksimum prej gjashtë personash.

Masat e reja të urgjencës, për të cilat kishin kërkuar më shumë se gjysma e 17 rajoneve të Spanjës, zbatohen për të gjitha rajonet përveç Ishujve Kanarie.

I njëjti nivel emergjence u prezantua gjatë valës së parë të pandemisë në prill.

Spanja ka kaluar një milion raste që nga fillimi i pandemisë dhe gati 35,000 njerëz kanë vdekur.