Fjalë Kyçe

Statovci: Nuk rrëfej për t’u lutur

Statovci: Nuk rrëfej për t’u lutur

Pajtim Statovci, i lindur më 1990, është shkrimtar finlandezo-shqiptar që është shpërngulur nga Kosova në Finlandë tok me familjen e tij kur ishte dy vjeç. Romani i tij i parë “My Cat Yugoslavia”, ka fituar çmimin prestigjioz letrar “Helsingin Sanomat” për debutimin më të mirë finlandez.

Më 2016 ai fitoi çmimin letrar “Toisinkoinen”, i dhënë për romanet e dyta, me “Crossing”, rrëfimi i dy çunave që pa iu dridhur mustaku përpiqen të ikin nga Shqipëria paskomuniste. Në një recension për “New Yorker”, Garth Greenwell e ka krahasuar personazhin e tij kryesor, një rrenacak patologjik që përdor hamendësimet mbi viktimizimin me “një tjetër kriminel të çuditshëm, Tom Ripley i Patricia Highsmithit”. Më 2018, Statovci ka fituar çmimin e shkrimtarit të vitit në Helsinki.

“The Guardian”: Romani juaj i parë, “My Cat Yugoslavia”, paraqet një mace raciste e ksenofobe që flet. Pse ikët nga realizmi magjik në “Crossing”?

Statovci: Ka diçka fort çliruese kur bëhet fjalë për realizmin magjik. Nuk çan kokën për rregulla. Por hapërimi brenda gjithnajës së një romani me realizëm magjik mund të jetë i zorshëm si për shkrimtarin, ashtu edhe për lexuesin: është kaq lehtë të përhumbesh në pellgun e metaforave. Në “Crossing” unë kam dashur të ftilloj një rrëfim më të arsyeshëm. Në këtë libër ka një sasi të përkorë frike, dëshpërimi e mospërmbushjeje, që rrjedh nga një ndjesi e mospërkatësisë dhe turpit.

“The Guardian”: A ishte kjo përvoja juaj?

Statovci: Kur isha shtatë vjeç nisa të ndiqja shkollën në finlandisht. Ani pse nuk kisha kujtime nga jeta në Kosovë, për shokët unë isha fytyra e kulturës sime, meqë media vazhdonte të pasqyronte storie të tragjedisë dhe dhunës. Nuk doja mëshirë. Mësova që është diçka tjetër të thuash se je francez a anglez, e diçka tjetër të thuash se vjen nga një vend me histori të plagosur. Që të mos dukesha, unë përpiqesha të fshihja prejardhjen time shqiptare. Kjo është pika ku nis “Crossing”.