Zëvendëskryeministri i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka reaguar pas deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që “Ushtria e Kosovës është ëndërr dhe trashëgimi e gjeneratave që dhanë jetën për liri”.
Ai ka thënë se kjo deklaratë e Kurtit është një tjetër qëndrim destabilizues që nuk sjell sipas tij asgjë të mirë për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, raporton Kosovo-online, transmeton Klankosova.tv.
“Kjo tregon se Kurti është duke përgatitur një destabilizim të ri. Tregimet dhe gatishmëria për vazhdim të dialogut janë vetëm gënjeshtra me ngjyra. Ndoshta ai është duke menduar që t’i sulmojë hapur të moshuarit, fëmijët dhe gratë të cilët kërcënohen që të largohen nga pragjet e shtëpive”.
“Kurti qartazi është duke ëndërron shkaktimin e kaosit dhe destabilizimin”.
Ndër të tjera, Stefanoviq ka deklaruar se Serbia është e gatshme që ta vazhdojë procesin e dialogut në Bruksel.