Fjalë Kyçe

Studimi i ri: Obeziteti rrit rrezikun për vdekje nga COVID-19 për 48 për qind

Studimi i ri: Obeziteti rrit rrezikun për vdekje nga COVID-19 për 48 për qind

Obeziteti rrit rrezikun për vdekje nga COVID-19 për rreth 50 për qind dhe mund të bëjë vaksinën më pak efektive kundër sëmundjes, sipas një studimi bazuar në të dhënat globale të rasteve me koronavirus.

Hulumtimi i kryer nga top-ekspertë botërorë paralajmëron për rrezik më të madh për obezitet sesa rreziqet që njiheshin deri tash.

Studimi, i financuar nga Banka Botërore, do të rrisë presionin mbi qeveritë për të luftuar obezitetin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar shifrat më të larta të obezitetit. Janë rreth 40 për qind të amerikanëve mbipeshë. SHBA-ja është vendi më i prekur nga koronavirusi me rreth 178 mijë viktima.

Studimi i kryer nga Universiteti i Kalifornisë Veriore ka gjetur se njerëzit me indeks të masës trupore mbi 30, janë në rrezik më të madh nga koronavirusi. Rreziku se ata do të përfundojnë në spital është i rritur për 113 për qind, se do të kenë nevojë për kujdes intensiv për rreth 70 për qind, e se do të vdesin për 48 për qind.

Studimi është udhëhequr nga profesori Barry Popkin, i departamentit për ushqim në “UNC Gillings Global School of Public Health”. Ai ka thënë për “The Guardian” se është shokuar nga gjetjet. Rreziku për vdekje nga COVID-19 për njerëzit obezë është shumëfish më i lartë se që është menduar.

“Ky është ndikues shumë i madh, për mua. Është 50 për qind rrezik më i lartë. Është shifër e frikshme. Të gjitha në fakt – shumë më të larta se që kam pritur”, ka thënë Popkin.

Rreziku i nevojës për trajtim në spital për njerëzit obezë është dyfish më i lartë. “Kjo, si dhe pranimi në Intensive si dhe shkalla e vdekjes janë shumë të larta. Të gjitha më kanë shokuar”, ka thënë ai.

Studimi i publikuar në revistën “Obesity Reviews”, është analizë që ka mbledhur të dhënat nga shumë studime botërore të kryera në Itali, Francë, Britani, SHBA e Kinë.

Deri tash në gjithë botën janë regjistruar gati 24 milionë raste me COVID-19 e 820 mijë vdekje.