Sot në kohën e pandemisë globale të COVID-19, Suedia është ndër të paktat vende që është pozicionuar kundër masave kufizuese që po aplikojnë në rang global. Modeli suedez i mënyrës së jetesës, duket se ka funksionuar më së miri në mospërhapjen e koronavirusit.
Në Suedi jeta vazhdon normalisht. Atje vazhdojnë të qëndrojnë të hapura shkollat fillore, restorantet dhe baret, ndërsa njerëzit inkurajohen të dalin jashtë për të marrë ajër. Suedia kështu përbën ndoshta rastin më të veçantë në botë. Ndërsa për 2.5 miliard njerëz kudo në botë po rezulton një sprovë shumë e vështirë të qëndrojnë në shtëpi në periudhë karantine, suedezët e kanë mënyrë jetese të jetuarit gjatë të mbyllur në një apartament.
Në kohën e pandemisë kjo po kthehet në një avantazh për suedezet. Ata janë popull jo shumë social dhe kjo e lehtëson distancimin nga njëri-tjetri. Shifrat e Eurostat vënë në dukje se shteti suedez ka përqindjen më të lartë të banesave në Europë, ku më shumë se gjysma e shtëpive ka vetëm 1 person. Ekspertët thonë se ky lloj modeli ndihmon që virusi të mos përhapet me shpejtësi të madhe, ndryshe nga vendet e BE ku ne jetohet me shumë banorë apo në familje të mëdha.
Suedezët kanë mënyrë jetese të përshtatshme në kohë koronavirusi edhe kur dalin jashtë banesës. Ata nuk afrohen kollaj me njerëzit, nuk hyjnë lehtë as në biseda me persona që i rrethojnë. “Për sa i takon hapësirës sociale, suedezët e kanë në kulturën e tyre që ruajnë distanca të tilla”, thotë Lola Akinmade Åkerström, një autore në kulturën suedeze.
Suedezët janë mësuar gjithashtu të “qëndrojnë në shtëpi në dhimbjen më të vogël të kokës”, shton ajo. Ndërkohë, Suedia renditet edhe si shtet mjaft social, teksa iu jepet përparësi dhe komoditet në kushte e në punë atyre që janë të sëmurë.
Një shtet tjetër që tërheq vëmendjen në këtë kohë të pandemisë globale është Japonia vendi fqinj i Kinës, ku numri i të prekurve nga koronavirusi në raport me numrin e popullsisë së këtij vendi prej 127 milion banorësh është i vogël. Janë 77 të vdekur dhe numri i të infektuarve rreth 3 mijë vetë. Si arsyet e këtij suksesi të Japonisë, nënvizohen veç masave organizative të shtetit, zakonet e japonezëve të rrënjosura mirë në mentalitetin e tyre.
Japonia është një vend me disiplinë të lartë, pasi ka një popullsi e cila zbaton rregullat e higjienës që nga fëmijëria. Ata kanë tendencë të tregojnë dashuri pa u puthur, duke zvogëluar kështu rrezikun e infeksionit. Larja e duarve shpëlarja e fytit me dezinfektues, por edhe vendosja e maskave janë pjesë e rutinës së përditshme të japonezëve.
5.5 miliardë maska fytyre janë përdorur çdo vit në Japoni para shfaqjes së koronavirusit, kështu që përdorimi masiv i tyre e ka ngadalësuar përhapjen e virusit. Ndërkaq Lojërat Olipmike që ishin parashikuar të zhvilloheshin në Tokio nga datat 24 korrik deri me 9 gusht, janë shtyrë pas një vitit.