Fjalë Kyçe

Suedia po e kalon mirë pandeminë, duket se funksionoi strategjia e mosmbylljes

Suedia po e kalon mirë pandeminë, duket se funksionoi strategjia e mosmbylljes

Suedia ka bërë një numër rekorde të testimeve për koronavirusin e ri javën e kaluar, ndërsa vetëm 1.2 për qind e testeve kanë rezultuar pozitive, ka njoftuar Agjencia për Shëndetësi të martën. Është shifra më e ulët që nga fillimi i pandemisë dhe është në një kohë ku shtetet në Evropë po shohin rritje të rasteve të infektuarve, shkruan agjencia Reuters.

Suedia ka evituar mbylljen dhe është përqendruar te përgjegjësia e individëve, distanca sociale dhe higjiena në tentim për të ngadalësuar infektimin e jo zhdukur virusin, të cilin thotë se është këtu për të qëndruar.

Strategjia ka hasur në kritika në Suedi dhe jashtë vendit, pasi numri i të vdekurve nga COVID-19 po rritej gjatë pranverës.

“Qëllimi i qasjes sonë është që njerëzit të kuptojnë vet nevojën për të ndjekur rekomandimet dhe direktivat që ekzistojnë”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shëndetësore të Suedisë, Johan Carlson.

Derisa në shumë shtete janë ndryshuar rregullat dhe janë vendosur kufizime, Carlson ka thënë se Suedia ka përgatitur rregullat që janë të lehta për t’u kuptuar dhe mbajtur për një periudhë të gjatë.

“Nuk ka rrugë tjetër para se të jetë shpiket vaksina. Popullata e Suedisë e ka kuptuar këtë”, ka thënë Carlson.

Më tepër se 5800 persona kanë vdekur nga sëmundja, shifër dukshëm më e lartë për kokë banori sesa në shtetet fqinje nordike, por më e ulët sesa në Itali, Spanjë e Britani.

Por shifra e të vdekurve, hospitalizimet dhe rastet e reja kanë rënë tashmë, ndërsa në shtetet si Spanjë e Francë kanë filluar të rriten numrat sërish pas zbutjes së masave.

Suedia ka bërë 120 mijë teste javën e kaluar, ku vetëm 1300 prej tyre kanë dalë pozitive. Është dukshëm më e ulët shifra sesa 19% sa kishin dalë pozitive gjatë disa javëve në pranverë. Suedia ka shifrën tash më të ulët të përhapjes në Skandinavi.

“Strategjia jonë ka qenë konstante dhe e qëndrueshme. Ne ndoshta kemi këtu tash rrezik më të vogël të përhapjes krahasuar me shtetet tjera”, ka thënë Jonas Ludvigsson, profesori i epidemiologjisë në Institutin Karolinska, duke shtuar se Suedia ka nivel më të lartë të imunitetit në popullatë sesa në shumicën e shteteve të botës. “Mendoj se do të përfitojmë shumë nga kjo tash”.

Por qasja është përcjellë me kritika. Në një editorial në gazetën “Dagens Nyheter” është thënë se numri në rritje i personave që po përgëzojnë strategjinë e Suedisë janë duke i harruar të vdekurit.

“Duket se disa shifra duhet të përsëriten. Suedia ka 5837 të vdekur nga COVID-19. Një proporcion pesë herë më të lartë sesa Danimarka”, është shkruar.