Fjalë Kyçe

Surroi godet Thaçin: E nënshkrove vet marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Surroi godet Thaçin: E nënshkrove vet marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Publicisti Veton Surroi, ka hedhur një varg akuzash ndaj deklaratave të presidentit të vendit Hashim Thaçi i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Surroi, ka thënë se derisa Thaçi në Amerikë ka deklaruar se nuk duhet lejuar krijimi i një asociacioni të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, është pikërisht Thaçi ai i cili në vitin 2013 nënshkroi me Serbinë Marrëveshjen e Brukselit me të cilën krijohej Bashkësia e komunave serbe me kompetenca ekzekutive, shkruan Gazeta Alo.

Ndërsa, duke komentuar deklaratën e Thaçit që kufijtë e tanishëm të Kosovës nuk janë vullnet i popullit të saj sepse janë produkt i Jugosllavisë, Surroi ka thënë se ky deklarim i presidentit është i një historiani amator, e jo i përfaqësuesit kushtetues të Kosovës në botë.

Postimi i tij i plotë:

Hashim Thaçi ka deklaruar në Washington se nuk duhet lejuar krijimin e një asociacioni të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, sepse do të thoshte krijim i Republikës Serbe. Por, më 2013 ishte mu Hashim Thaçi ai që nënshkroi me Serbinë Marrëveshjen e Brukselit me të cilën krijohej Bashkësia e komunave serbe me kompetenca ekzekutive; në formë eksplicite si rrafsh i tretë i pushtetit.

Në Washington poashtu deklaroi se kufijtë e tanishëm të Kosovës nuk janë vullnet i popullit të saj, se janë produkt i Jugosllavisë. Një deklarim i këtillë është i një historiani amator, jo përfaqësuesit kushtetues të Kosovës në botë.

  • Kufijtë e tanishëm të Kosovës janë pjesë e shprehjes së vullnetit të qytetarëve të saj për shtet të pavarur;
  • Shpallja e pavarësisë u bë në këta kufinj dhe pas një procesi të gjatë të protektoratit e të negociatave ndërkombëtare.
  • Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me mendimin e saj të korrikut të vitit 2010 ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Rrjedhimisht, Gjykata ka vlerësuar se procesi i gjatë, me protektorat të vendosur me Rezolutën 1244 të KS të OKB në kufijtë e tanishëm të Kosovës dhe me negociatat nën udhëheqjen e presidentit Ahtisaari të cilat krijuan bazën ndërkombëtare për njohjen e Kosovës në kufijtë që ka, është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
  • Biseda për kufij mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete me konflikt të papërfunduar është juridikisht rihapje e tërë procesit që solli pavarësinë e vendit dhe njohjen e kufijve të Kosovës si kufij ndërkombëtar nga mbi 100 shtete dhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të saj nga ana e NATO-s.

Historiani amator ka të drejtë të elaborojë sipas qejfit intepretimet rreth kufijve, por presidenti i vendit jo.

Historiani amator ka të drejtë të jetë injorant. Presidentin e vendit injoranca nuk e mbron nga pasojat juridike dhe politike.

Varrezat e Evropës, përfshirë edhe ato në Kosovë, janë përplotë viktima të historianëve amatorë e presidentëve injorantë./Gazeta Alo/