Fjalë Kyçe

Tahiri: Mogerhini nuk po i shërben dhe as nuk po i mbron parimet BE-së

Tahiri: Mogerhini nuk po i shërben dhe as nuk po i mbron parimet BE-së

Ish-kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, e ka kundërshtuar fuqishëm deklaratën e zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq që në dialogun final mes Kosovës dhe Serbisë të futet edhe Trepça.

“E kundërshtoj fuqishëm këtë deklaratë skandaloze dhe luftë nxitëse nga ana e Zyrës së Mogherinit, që tregon se zonja Mogherini ka marrë anën e Serbisë, duke dhe humbur besueshmërinë për të qenë ndërmjetësuese të paanshëm i Dialogut të Brukselit. Ky nuk është qëndrim i BE-së, por vetëm i disa zyrtareve që janë në rrugë të gabueshme”, tha ajo për KALLXO.com

Ish-kryenegociatorja tha se Mogerhini nuk po i shërben BE-së.

“Mendoj se pyetja hipotetike duhet kujt po i shërben Mogherini, sepse është e qartë se nuk po i shërben BE dhe as nuk po i mbron parimet e BE për Ballkanin Perëndimor ku 6 shtete përfshirë këtu dhe Kosovën janë në rrugën e Integrimit Evropian”, tha Tahiri.

Tahiri shtoi se është alarmante që zyra e Mogerhinit nuk respekton qëndrimet e shteteve që e kanë njohur Kosovën.

“Nuk duhet të harrojnë as Mogherini as Kocijançiq se 23 vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë njohur shtetin e Kosovës, ndërsa vetëm 5 nuk e kanë njohur. Është alarmante që zyra e Mogherinit nuk respekton qëndrimet e shteteve liderë të Evropës, si Gjermania, Franca, Britania që kanë shprehur qëndrim të prerë kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës në raport me Serbinë”.