Fjalë Kyçe

Talibanët do të bisedojnë me zyrtarë afganë, por jo me qeverinë

Talibanët do të bisedojnë me zyrtarë afganë, por jo me qeverinë

Talibanët thanë se do të marrin pjesë në të ashtuquajturat bisedime “ndër-afgane” në Moskë, të cilat do të mbledhin bashkë figura të shquara të Afganistanit, përfshirë ish-presidentin Hamid Karzai, zyrtarë të opozitës, pleq fisnorë, por jo autoritetet të qeverisë.

Takimi do të nisë të martën dhe do të zgjasë dy ditë.

Këshilli i Shoqërisë Afgane – një organizatë e diasporës së Afganistanit në Rusi – tha përmes një deklarate se ai është organizator i takimit.

Qeveria e Rusisë ka mohuar se qëndron prapa organizimit, ndërsa Shtetet e Bashkuara deri më tash nuk e kanë komentuar.

Njoftimi për takim vjen një javë pasi është bërë e ditur se negociatorët amerikanë dhe talibanë kanë rënë dakord për strukturën e një marrëveshjeje të paqes, e cila do t’i jepte fund konfliktit 17-vjeçar në Afganistan.

Negociatorët amerikanë kanë zhvilluar në janar bisedime intensive me talibanët në Katar.

Talibanët, deri më tash, kanë refuzuar të mbajnë bisedime të drejtpërdrejta me Qeverinë afgane, duke i cilësuar zyrtarët e saj si “kukulla” të SHBA-së.