Zëvendësprokurori i Bullgarisë, Borislav Sarafov, në konferencë për media ka treguar rezultatet e autopsisë.
“Gjurmë tymi u gjetën në mushkëritë e tyre, që do të thotë se ata ishin gjallë në momentin e zjarrit”, tha Sarafov.
Sipas tij, deri më tani janë marrë në pyetje dy dëshmitarë, pasagjerë në autobus të cilët kanë qenë të zgjuar në momentin e ngjarjes.“Të dy japin informacion objektiv, të marrë në pyetje në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, deklaratat e tyre përputhen dhe ne i konsiderojmë ato absolutisht të besueshme”, tha ai, duke shtuar se bisedimet janë duke u zhvilluar aktualisht me dy pacientë të tjerë të shtruar në spital.
Aksidenti ka ndodhur të martën në autostradën “Struma” kur autobusi i transportuesit “Besa Trans” që kthehej nga Stambolli ka marrë flakë. Po vijon hetimi nga autoritetet hetimore dhe identifikimi i viktimave, i cili pritet të përfundojë pas shtatë ditësh.
Hetuesit bullgarë po ashtu i hedhin poshtë kategorikisht spekulimet se në autobusin e djegur është transportuar benzinë ose naftë, theksoi në konferencën e sotme prokurori bullgar Borislav Sarafov.
“Po përhapen informacione se në autobus po transportoheshin derivate të karburantit, benzinës dhe dizelit dhe se këto kanë qenë arsyet e zjarrit. Ai version është hetuar, por kategorikisht e hedhim poshtë si të pabazë. Tre bidon u gjetën në vend, që përmbanin vetëm mbetje vaji. Nuk ishin të mbushur dhe as të djegur. Rrjedhimisht, zjarri nuk është shkaktuar nga ata”, tha Sarafov.
Sipas zëvendëskryeprokurori Borislav Sarafov, deri tani, dyshimi më i madh është gabimi njerëzor, sinjalizim i dobët.
“Do bëhet ekspertizë nga ekspert e teknik për defektet e autobusit”, ka thënë ai./AlsatM