Fjalë Kyçe

Të paktën pesë të vrarë nga sulmet me artileri në Harkiv

Të paktën pesë të vrarë nga sulmet me artileri në Harkiv

Të paktën pesë persona janë vrarë nga një seri e sulmeve me artilerinë ruse në Harkiv, qytetin e dytë më të madh ukrainas, thanë zyrtarët lokalë më 17 prill, teksa Moska ka intensifikuar sulmet në lindje dhe jug të Ukrainës.

Maksym Khaustov, shef i departamentit të shëndetësisë në rajonin e Harkivit, u tha mediave se sulmet me artileri kanë shkaktuar zjarr dhe kanë dëmtuar çatitë e ndërtesave në gjithë qytetin.

Oleh Syneyhubov, guvernatori i këtij rajoni, shkroi në Telegram se 31 persona janë plagosur nga sulmet.

Gazetarët e AFP-së, që janë në terren, kanë raportuar se kanë dëgjuar dy shpërthime dhe kanë parë pesë zjarre në zonat e banuara në qendër të Harkivit, qytet që para luftës kishte një popullsi prej 1.42 milion banorësh.

Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po shënjestron zonat civile që prej se Moska nisi pushtimin e paprovokuar të shtetit më 24 shkurt, duke vrarë mijëra persona.

Moska mohon se shënjestron objektiva civile, pavarësisht provave që dëshmojnë të kundërtën.

Trupat ruse janë përballur me një rezistencë të fortë nga ushtarët dhe civilët ukrainas dhe janë detyruar që të tërhiqen nga zonat përreth kryeqytetit, Kiev, për të shtuar sulmet në jug dhe lindje të Ukrainës, përfshirë edhe në Harkiv, qytet që gjendet rreth 20 kilometra larg kufirit me Rusinë.

Më 15 prill, autoritetet në Harkiv raportuan se nga granatimet në zonat e banuara ishin vrarë dhjetë persona. Më 16 prill, nga sulmet ajrore ruse u vranë të paktën dy persona.

Në një ngjarje të ndarë, Serhiy Gaidai, guvernator i rajonit lindor ukrainas të Luhanskut, tha se të paktën dy persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur më 17 prill nga granatimet në qytetin lindor Zolote./rel