Fjalë Kyçe

Të sëmurët me kancer që 11 ditë pa shërbime, kjo është arsyeja

Pacientët e sëmurë nga kanceri e që kanë nevojë për radioterapi ka 11 ditë që nuk kanë marrë këtë shërbim në Klinikën e Onkologjisë, si pasojë e prishjes së aparaturës së Radioterapisë.

Kështu, për këtë lloj shërbimi pacientët detyrohen që të presin ose të drejtohen në shtetet fqinje. Gazeta e ka kontaktuar drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, për ta pyetur se kur do të rregullohet kjo aparaturë, por ai nuk ka mundur të jepte përgjigje specifike, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Pacientëve që janë në trajtim do t’u shtyhet koha e mjekimit dhe do të vazhdojnë kur të rregullohet aparatura. Rrezatimi nuk bëhet në vikend, por pesë ditë në javë. ShSKUK-ja e ka porositur një pjesë të aparaturës që është djegur, ajo është paguar dhe tash jemi duke pritur derisa të vijë”, ka deklaruar Kurtishi.

Sipas tij, deri në kohën e ballafaqimit me këtë problem lista e pritjes ka qenë zero.

“Vitin e kaluar kemi pasur më shumë telashe, këtë vit ka qenë më mirë. Lista e pritjes është zero, por materiali është harxhuar, sepse kjo aparaturë është prej vitit 2008”, ka shtuar më tej ai.

Ndryshe, ky shërbim në QKUK është falas.