Një anije tjetër nga Flota e SHBA, “USS Fort McHenry” ka hyrë këtë fundjavë në Detin e Zi, aty ku tensionet shpërthyen pasi tre anije të Ukrainës u goditën nga marina ruse me pretendimin se kishin shkelur ujërat territoriale ruse në fund të nëntorit dhe ekuipazhi i tyre u arrestua.
“Ardhja e “USS Fort McHenry” riafirmon vendosmërinë tonë kolektive ndaj sigurisë në Detin e Zi dhe rrit marrëdhëniet tona të forta me aleatët dhe partnerët tanë të NATO-s në rajon”, tha Lisa M. Franchetti, komandante e 6-të e Flotës.
“Fort McHenry me bazë në Florida është në një vendosje të planifikuar nga Flota e 6-të e SHBA për të kryer operacione me aleatë dhe partnerë, duke çuar përpara sigurinë dhe stabilitetin në Evropë”, tha Flota e 6-të e SHBA në një deklaratë të dielën.
Në njoftim gjithashtu kujtohet se marina amerikane funksionon në mënyrë rutinore në Detin e Zi, duke thënë se vepron në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Gjashtë anije ushtarake amerikane kryen misione në zonë në vitin 2018, duke përfshirë edhe shkatërruesit e raketave të udhëzuar USS Ross, USS Carney dhe USS Porter, si dhe anijen komanduese USS Mount Whitney, anija USS Oak Hill dhe transportuesi ekspeditiv i shpejtë USNS Carson City.