Fjalë Kyçe

Tërbim në Indi teksa babë e bir vdesin nga tortura e policisë

Tërbim në Indi teksa babë e bir vdesin nga tortura e policisë

Vdekja e një babai dhe birit të tij pasi u ndaluan nga policia në shtetin jugor të Tamil Nadu ka shkaktuar sot tërbim mes banorëve dhe familjes së viktimave, të cilat akuzojnë se policia i ka torturuar.

59 vjeçari P Jayaraj, dhe djali i tij 31 vjeçar J Bennix, ishin arrestuar të premten në zonën Thoothukudi për shkelje të izolimit të koronavirusit teksa policia i akuzonte se kishin mbajtur hapur dyqanin e tyre të celularëve përtej orës 8 të darkës.

Policia thotë se Bennix ankohej për dhimbje në gjoks ndërsa Jayaraj kishte ethe kur u vendosën në qelitë e rajonit të policisë së Kovilpatti. Më pas ata u çuan në spital por vdiqën disa orë larg njëri-tjetrit.

Familjarët thonë se dy burrat ishin torturuar gjatë burgimit dhe gjithashtu thonin se ishin sulmuar seksualisht.

“Jayaraj e Bennix po rriheshin kur u çuan në stacionin e policisë dhe ne e pamë këtë nga hyrja e stacionit”, thonin të afërmit për mediat.

Megjithse India ka hequr shumicën e kufizimeve të koronavirusit, shteti Tamil Nadu vazhdon izolimin për të ndaluar përhapjen.

Qeveria rajonale njoftoi një dëmshpërblim prej 2 milionë rupie ($26,450) për familjen e viktimave, ka pezulluar dy oficerë dhe ka transferuar disa të tjerë.
Grupi i të drejtave Amnesty India kërkoi që qeveria e Tamil Nadu t’i japë fund “pandëshkueshmërisë për policët”.

“Vdekja e Jayaraj e Bennicks sinjalizon dështimin e Indisë në vënien para llogarisë të policisë. Numri i vogël i dënimeve për rastet e torturës së policisë ka krijuar një klimë pandëshkueshmërie për policët dhe kjo duhet të marrë fund”, tha kreu i degës indiane të grupit Avinash Kumar.