Fjalë Kyçe

Thaçi dhe Haradinaj me versione të ndryshme për brezin e kufirit me Serbinë

Dy versione për gjatësinë e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë kanë dhënë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Në shpërputhje janë për 49 kilometra.

Derisa për presidentin gjatësia e kufirit me shtetin serb është 430 kilometra, për kryeministrin nuk është më shumë se 381 kilometra. Ka edhe dokumente tjera qeveritare, ku Kosovës i përshkruhen kilometra ndryshe në raport me fqinjin verior, shkruan sot Koha Ditore.

Në kontekst të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, Thaçi në disa raste ka thënë se Kosovës i duhet t’i demarkojë me Serbinë 430 kilometra gjatësi.

Këtij versioni të presidentit, të mërkurën i është kundërvënë Haradinaj. Ai ka nxjerrë një dokument, të cilit ia ka bashkëngjitur edhe harta të komunave kufitare me Serbinë. Mbështetur në të, gjithsej janë nëntë komuna rreth brezit kufitar me Serbinë, në gjatësi prej 381 kilometrash.

Janë: Gjilani, Istogu, Kamenica, Leposaviqi, Podujeva, Prishtina, Ranilluku, Zubin-Potoku dhe Zveçani. Brezi kufitar i Podujevës ka gjatësinë më të madhe, me 96.1 kilometra. Pas tij është komuna më veriore – Leposaviqi me 86.5 kilometra.

Sipas këtij dokumenti, e tërë gjatësia e kufirit është mirë e definuar dhe lehtë e identifikueshme përmes 11 000 pikave, si në aspektin gjeografik po ashtu edhe në atë administrativ. Më tej aty thuhet se vija kufitare në mes dy shteteve identifikohet në shumë harta të punuara, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.