Fjalë Kyçe

Thaçi kërkon që BE-ja ta dënojë “gjuhën raciste” të kryeministres serbe

Thaçi kërkon që BE-ja ta dënojë “gjuhën raciste” të kryeministres serbe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është “edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”.
Komentet e Thaçit vijnë një ditë pasi Bërnabiq, në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, tha se e shqetëson situata në Kosovë, sepse, sipas saj, ka “njerëz që vërtet kanë dalë prej malit”.

Thaçi kërkoi nga Bashkimi Evropian që sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.
“Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj të sotme”, tha Thaçi.
“Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha Thaçi.
Bërnabiq i bëri komentet të mërkurën, kur ambasadori i BE-së, Fabrizi, i dorëzoi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Ajo po ashtu tha se disa prej njerëzve në Kosovë “janë edhe terroristë që nuk janë dënuar” dhe që “kanë qenë të akuzuar në Tribunalin e Hagës”, porse nuk janë dënuar sepse “të gjithë dëshmitarët janë vrarë”.
Bashkimi Evropian nuk ka dalë ende me ndonjë reagim.
Pas deklaratës së kryeministres serbe reagoi ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli.
Ai, përmes një postimi në Twitter, tha se deklarata e Bërnabiqit është “e neveritshme dhe tërësisht e papranueshme”.
Sipas Pacollit, ky “racizëm i institucionalizuar” i ka rrënjët në ideologjinë e sëmurë ultranacionaliste.

Deklarata e Pacollit është në përputhje me politikën e Prishtinës, reagoi Bërnabiq.
“Njerëzit që janë të gatshëm të ndalojnë rrjedhën e mallrave, janë të gatshëm të ndalojnë edhe lirinë e lëvizjes”, tha Bërnabiq pas një takimi me kryeministrin sllovak, Peter Pelegrini.
Kosova dhe Serbia, qysh në vitin 2011, kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i bisedimeve aktualisht ka ngecur, për shkak të, siç është thënë, taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia.