Fjalë Kyçe

Thaçi&Co e dëmtuan KEK-un me 3.5 milionë euro vetëm gjatë vitit 2019

Thaçi&Co e dëmtuan KEK-un me 3.5 milionë euro vetëm gjatë vitit 2019

Që me ardhjen e Njazi Thaçit në krye të Korporatës Elektroenergjitë të Kosovës, janë shtuar në mënyrë marramendëse aferat korruptive në këto kompani, duke favorizuar kompani të afërta me klikën e tij, në dëm të korporatës.

Të gjitha punësimet në KEK nuk mund të bëhen pa ‘amimin’ e Thaçi&Co. Por, çka është më e keqja është zhvatja e milionave përmes formave të ndryshme.

Një prej dëmeve që po i shkaktohet buxhetit të korporatës është edhe rënia e blloqeve në Termocentralin Kosova B, me humbje që arrijnë afro 3.5 milionë euro. Këtë fakt e nxjerrim edhe nga raportet e brendshme të vetë KEK-ut, shkruan Gazeta Alo.

Bazuar në Raportin e kontrollës së brendshme nr.20/2019, del se drejtori menaxhues dhe Drejtori i Termocentralit ‘’Kosova B” janë përgjegjës që TC-Kosova B vetëm në vitin 2019, për periudhën janar-nëntor e ka dëmtuar KEK-un me afro 3.5 milionë euro.

Raporti cek saktësisht shumën 3,459,135.95€ nga rënia e blloqeve të paplanifikuara pothuajse 20 herë gjatë kësaj periudhe raportuese.

Në këto humbje hyn mosprodhimi i energjisë elektrike dhe humbja e mazutit.

Këto humbje janë të dokumentuara edhe në raportin nr.20 të kontrollës së brendshme të KEK-ut.

Një problem më vete është se po cenohet edhe siguria e punëtorëve, për shkak të manipulimeve me rënien e bllokut.

Punëtoret e këtij Divizioni në Termocentralin Kosova B janë më se të brengosur për sigurinë e tyre personale, nga rreziku i eksplodimeve për shkak te ndaljeve të shpeshta të blloqeve dhe rrezikut të përhershëm që paraqesin këto rënie të blloqeve.

Ndryshe, shpenzimet për rivënie në sistem janë marramendëse. Në bazë të statistikave, gjatë këtyre ndalesave, për kyçjen e bllokut nç procesin e prodhimit harxhohen 630.28 ton mazut. Kjo përbën një vlerë prej afro 360.000 euro për njërin bllok dhe afro 380.000 euro për bllokun tjetër. Kjo nënkupton gjithsej rreth 740.000 euro të gjuajtura kot.

Përkundër gjithë këtyre shkeljeve, menaxhmenti i lartë i KEK-ut as që ka marrë mundin që ta marrë në përgjegjësi dikë për këto shkelje me gjithë këto humbje marramendëse për korporatën.

Burime të Gazetës Alo thonë se pas kësaj për më tepër se dhjetë herë, prapë kanë rënë blloqet (herë njëri, herë tjetri), por prapë nuk është marrë në përgjegjësi askush.

Dëm akoma më i madh i bëhet korporatës dhe shtetit të Kosovës, pasi për mungesë energjie duhet të blihet rrymë nga shtetet e tjera, kështu që kemi të bëjmë me një dëmtim të dyfishtë, e gjitha për interes të një klike të ngushtë që është duke e sunduar tash e sa kohë këto kompani.

‘Është e çuditshme pse bien blloqet dhe në anën tjetër blihet rrymë me çmim shumë të shtrenjtë’, thotë ky burim.

Sipas tij, prapë se prapë kjo nuk mjafton dhe Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi nuk ka ndërmarrë asgjë në lidhje me këtë çështje, edhe pse është përgjegjës sa edhe Drejtori  i Termocentralit “Kosova B”, Luigj Imeri.

Gazeta Alo ka kërkuar informacion nga KEK-u lidhur me skandalin e milionëve, por nuk ka marrë përgjigje. /Gazeta Alo

LEXO EDHE KËTË:

https://gazetaalo.com/njazi-thaci-ben-kerdi-me-punesimet-ne-kek/