Fjalë Kyçe

Tolaj: Kosova e përballoi pandeminë relativisht lehtë, për shkak të popullatës së re

Tolaj: Kosova e përballoi pandeminë relativisht lehtë, për shkak të popullatës së re

Kur po bëhet gati një vit prej shpërthimit të COVID-19 në vendin tonë, infektologu Ilir Tolaj ka thënë se Kosova e ka përballuar më lehtë pandeminë sesa shumë vende të tjera më të zhvilluara.

Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të masave që janë marrë nga institucionet përgjegjëse, por për shkak të popullatës së re që e ka.

“Kosova e ka përballuar pandeminë relativisht lehtë në krahasim me shumë vende të tjera që janë shumë të fuqishme ekonomikisht dhe kanë një sistem shëndetësor jashtëzakonisht më të përgatitur. Kjo nuk është meritë e autoriteteve të Kosovës dhe as e masave të cilat janë marrë, por është strikt meritë e strukturës moshore të popullatës së Kosovës. Kosova ka një popullatë shumë të re dhe kjo e ka ndihmuar në përballjen me pandeminë”.

“Masat që janë marrë prej autoriteteve, qoftë direkt për pandeminë, qoftë direkt për parandalimin e përhapjes së infeksioneve apo masat tjera që duhet të jenë mbështetëse kanë qenë minimale, plotësisht të pamjaftueshme dhe çka është shumë e rëndësishme pikërisht këto autoritete, personat që përfaqësojnë këto autoritete, më së paku i kanë respektuar këto masa”.

Ai, në Sytë 7 në Klan Kosova, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera duke thënë se kanë qenë shumë të ngathtë në krijimin e kapaciteteve për t’u përballur me COVID-19.

Infektologu Tolaj ka thënë se ka qenë një neglizhencë dhe joseriozitet nga ana e tyre duke shtuar se kanë pasë kohë dhe personel të mjaftueshëm në dispozicion për të krijuar më shumë kapacitete dedikuar luftës me pandeminë.

“Tash jemi në valën e tretë të pandemisë. Vala e dytë ka qenë më e madhe se e para, dhe e treta duket që është më e qetë pak. Është një reagim jashtëzakonisht i ngathtë i institucioneve që të përballen me këtë pandemi dhe për të përgatitur kapacitetet e mjaftueshme. Gjatë muajve të verës kemi pasë numër minimal dhe njohuritë kanë qenë se pandemia s’ka marrë fund, prandaj është dashur të përgatiten. E kam një përshtypje se institucionet dhe personat që i përfaqësojnë ato ju shkojnë prapa problemeve, zakonisht merren pasi që të krijohet problemi në vend se t’i parandalojnë ato”.

“Kosova deri tash është dashur t’i ketë 500 deri 1000 shtretër ekstra veç për COVID-19, do të duhej t’i kishte të trajnuar 300-400 mjekë të udhëhequr nga mjekët me përvojë dhe 2000 personel shëndetësor ndihmës të cilët do të jenë të koncentruar vetëm në COVID-19. Kohë dhe hapësirë ka mjaft, si dhe edhe personel që ka qenë në dispozicion të institucioneve – si mjekë të rinj të papërvojë ose të papunësuar si rasti i specializantëve”.

“Mendoj që është neglizhencë totale dhe joseriozitet në punë, pasi kur ballafaqohesh me një situatë me pandeminë është një situatë e ngjashme me kushte të luftës. Sistemi shëndetësor funksionon ashtu që duhet të transformohet në situata të jashtëzakonshme – si ushtria. Më shumë ka pasë deklarata për opinion për me tregu që po punohet diçka sesa që në fakt është punuar”.