Fjalë Kyçe

Tom Gashi flet për fillimin e punës së Gjykatës Speciale, të akuzuarit dhe dëshmitarët

Tom Gashi flet për fillimin e punës së Gjykatës Speciale, të akuzuarit dhe dëshmitarët

Rrustem Mustafa-Remi, komandant i zonës operative të Llapit, është i ftuari i parë publik nga Prokuroria Speciale e Kosovës në Hagë, kështu së fundmi është bërë e ditur nga vetë prokuroria. Kjo prokurori dhe Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, apo siç njihen juridikisht ‘dhomat especializuara’ ka një vit që është tërëisht funksionale por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë veprim publik.

Avokati Tom Gashi, i cili tanimë me dy avokatëtë tjerë ndërkombëtar të akredituar në Kosovë, kanë edhe zyrën e tyre pranë selisë së Gjykatës në Hagë, deklaroi për Gazetën Alo, se veprimi i tanishëm i prokurorisë speciale është për të ruajtur kredibilitetin.

“Me këtë duan të dëshmojnë se Prokuroria dhe Gjykata Speciale nuk kanë harruar që të punojnë në bazë të procedurave ligjore, pasi i ka rënë shumë kredibiliteti, pasi me vit të tëra është themeluar dhe qe një vit është funksionalizuar dhe nuk është ditur për ndonjë angazhim konkret të kësaj gjykate”, ka thënë Gashi për Gazetën Alo.

Kujtojmë se kjo gjykatë është votuar në Kuvendin e Kosovës me më shumë se 80 vota në vitin 2015.

Gashi e pranon se tashmë ka klient të kontaktuar për t’i mbrojtur në Gjykatën Speciale.

“Ne kemi klientë të nivelit të lartë të cilët na kanë kontaktuar por nuk mund t’i bëjmë publik emrat e tyre”, ka thënë Gashi.

Por, avokati Gashi nuk beson se do të jenë të prekur nga kjo gjykatë të paktën edhe për një kohë personat të cilët janë të përfshirë në dialog me Serbinë.

“Nuk besoj që do të jenë të prekur direkt ata që janë të përfshirë në negociata me Serbinë dhe unë besoj se të paktën për një periudhë kohore nuk do të jenë të akuzuar nga Prokuroria Speciale apo të ftohen për të deklaruar dhe komandant Remi nuk ka qenë asnjëherë i kyçur në negociata me Serbinë”, ka shtuar Gashi.

Gashi, më tutje ka shtuar se beson se i është dhënë kohë e mjaftueshme komandant Remit për tu përgatitur për deklarim para Prokurorisë Speciale.

“Besoj që i është dhënë një kohë e mjaftueshme komandant Remit, dhe besoj që ai ka mund të jetë i njoftuar se për çfarë do të deklarohet para Zyrës së Prokurorit Special, dhe besoj se kjo është bërë e qëllimshme para marrjes në pyetje të tij që normal dihet se një numër i dëshmitarëve janë marrë në pyetje dhe një numër i dëshmitarëve për arsye sigurie tashmë gjinden jashtë territorit të Kosovës”, ka vazhduar Gashi.

Gashi, ka thënë gjithashtu, se beson se në shënjestër të Prokurorisë Speciale janë të gjithë ata të cilët përmenden në raportin e Dick Martyt.

“Unë mendoj se të rrezikuar mund të jenë tëgjithë ata që përmenden në raportin e Dick Martit, meqenëse raporti i tij ka qenë politik por me votimin në Këshillin e Evropës është shndërruar në një dokument të obligueshëm ku edhe janë zhvilluar hetime nga viti 2011 deri më tani dhe ata emra janë në shënjestër të prokurorisë në Hagë”, ka shtuar Gashi, shkruan Gazeta Alo.

Gashi, ka përfunduar duke konsideruar se Gjykata Speciale është jashtëzakonisht e dëmshme për shqiptarët në përgjithësi, për shqiptarët e Kosovës dhe ish-pjesëtaret e UÇK-së në veçanti./Gazeta Alo/