Fjalë Kyçe

Tre të therur për vdekje në Reading të Britanisë, policia e shpall rastin incident terrorist

Tre të therur për vdekje në Reading të Britanisë, policia e shpall rastin incident terrorist

Policia britanike ka thënë se është duke e hetuar si incident terrorist rastin e therjes për vdekje të tre personave në qytetin Reading të Anglisë.

Përpos të vrarëve, në këtë incident mbetën të plagosur gjashtë persona. Rasti ndodhi në qendër të qytetit, më saktësisht në parkun “Forbury Gardens”. Tre persona ndodhen në gjendje të rëndë, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Policia e ka arrestuar një burrë 25-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Autoritetet thanë se ky person është arrestuar në vendin e ngjarjes nën dyshimin për vrasje dhe se policia nuk është duke kërkuar të dyshuar të tjerë.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga ngjarjet e natës së kaluar. Ky ishte një incident vërtet tragjik dhe mendimet e policië në Thames Valley janë me personat që janë prekur nga ky rast”, tha komandanti policor, John Campbell.

Një dëshmitar tha se një burrë kishte filluar të bërtiste para se të fillonte t’i therte njerëzit me thikë. “Parku ishte goxha i mbushur, kishte shumë njerëz të ulur që pinin me miqtë, kur një person i vetmuar kaloi andej, filloi të bërtiste papritmas me disa fjalë që nuk kuptoheshin dhe iu afrua një grupi prej rreth dhjetë personave, duke u përpjekur t’i therte ata”, tha Laërence Wort, 20 vjeç.

“Ai i theri tre prej tyre rëndë në qafë dhe nën krahë dhe pastaj filloi të vraponte drejt meje dhe unë fillova të ik”, tha ky dëshmitar, duke shtuar se sulmuesi e kishte therur edhe një person tjetër në qafë para se të largohej nga parku.

Policia ka kërkuar nga publiku që ta shmangë zonën ku ndodhi sulmi i përgjakshëm dhe ka bërë thirrje që dëshmitarët t’i dorëzojnë tek autoritetet dëshmitë dhe informatat e mundshme.