Fjalë Kyçe

Tri komuna mbesin pa buxhet, rrezikohen disa projekte dhe pagat

Tri komuna mbesin pa buxhet, rrezikohen disa projekte dhe pagat

Për shkak të moskonstituimit të Kuvendit, Komunës së Prishtinës, e Gjilanit dhe e Zubin Potokut ende nuk u është ndarë buxheti i këtij viti. Si rrjedhojë, thuhet se realizimi i projekteve të parapara për sivjet po rrezikohet, njëkohësisht edhe pagat e komunarëve.
Dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës i ka lënë tri komuna pa buxhet. Komunës së Prishtinës, asaj të Gjilanit dhe të Zubin Potokut nuk u është alokuar ende buxheti i këtij viti.

Kjo pasi këto tri komuna kishin votuar me vonesë buxhetet komunale, tek pasi Kuvendi kishte miratuar buxhetin e Republikës për sivjet.

Në mungesë të buxhetit, asnjë nga këto komuna nuk po mund të nisin realizimin e projekteve të parapara për sivjet.

Për këtë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është drejtuar me një letër Ministrisë së Financave.

Ai ka kërkuar një zgjidhje të shpejtë në mënyrë që të parandalohet një krizë e thellë financiare e ekonomike.

Për mosalokimin e buxhetit, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ia ka lënë fajin kuvendit komunal.

Kjo pasi, sipas Hysenit, në kuvendin komunal buxheti ka kaluar me vonesë.

“Nuk ka qenë rastësi që buxheti i komunës tonë për vitin 2025 është votuar pas zgjedhjeve nacionale. Sepse ata që kanë përvojë në institucionet tona e dinë një gjë, se kur votohet një ligj në kuvendin e Republikës të Kosovës siç është ligji i buxhetit, ai është i barazvlefshëm me të gjitha ligjet tjera, praktikisht është i vlefshëm për një periudhë të caktuar. Për shkak të mos votimit të buxhetit në Gjilan, në tetor apo nëntor kur është votuar buxheti i Republikës së Kosovës, në ligjin e buxhetit komuna ynë figuron me buxhetin e vitit 2024. Edhe kodet, projektet tona janë të gjitha të vitit 2024. Ne e kemi votuar buxhetin në vitin 2025, që i bie për plotësim dhe ndryshim të ligjeve, duhet procedura e njëjtë sikur e aprovimit”, ka theksuar Hyseni.

E në rast se nuk u alokohet buxheti sa më shpejt, kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se zyrtarët komunalë rrezikojnë të mbesin pa paga. Ai deklaroi se janë duke funksionuar me 1 të 12-ën e buxhetit të vitit 2024.

RTK ka kërkuar informacione edhe nga Ministria e Financave, por nga e njëjta nuk janë përgjigjur.

Ndërkaq pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se Qeveria e ka të pamundur të dorëzojë kornizën afatmesme të shpenzimeve, e cila parashihet që t’i dorëzohet Kuvendit jo më larg se data 30 prill.

Po ashtu, Murati u shpreh se mungesa e një kuvendi funksional e vonon edhe ndarjen e granteve komunale.