Shkrimtari i njohur ka vdekur në moshën 85 vjeçare Shkrimtari, poeti dhe politikani shqiptar, Dritëro Agolli ndërroi jetë më 3 shkurt të 2017, në moshën 85 vjeçare.
Agolli vuante prej kohësh nga një sëmundje në mushkëri, ndërsa nuk e kishte ndarë asnjëherë cigaren nga dora.
Veprat e autorit të madh shqiptar, që u lind më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit, u përkthyen edhe në shumë gjuhë të huaja. I paharrueshëm është edhe romani humoristik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që flet për burokratin servil Zylo Kamberi, i cili falë Agollit u bë subjekt filmash dhe këngësh.
Vepra e fundit e tij ishte libri me poezi “Prit edhe pak”, të cilin ia kushtoi bashkëshortes Sadies.
Përveç krijimtarisë artistike, Agolli u mor edhe me politikë, duke qenë një nga themeluesit dhe më pas deputet i Partisë Socialiste.