Fjalë Kyçe

Trump dhe Kim nuk arrijnë marrëveshje

Trump dhe Kim nuk arrijnë marrëveshje

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong-un nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje në samitin e dytë të mbajtur në Hanoi.

Një drekë pune mes presidentit Trump dhe liderit verikorean, Kim Jong-un, duket se është anuluar, pasi gazetarëve që mbulojnë ngjarjet e Shtëpisë së Bardhë, u është thënë se programi “ka ndryshuar”, raporton Euronews.

Tani pritet që Trump të kthehet në hotel dhe të mbajë i vetëm konferencën për media, ka njoftuar Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Më herët Kim ka thënë se ka gatishmëri për të denuklearizuar shtetin e tij, teksa ka folur në ditën e dytë të samitit me presidentin Trump, në Hanoi të Vietnamit.

Të dy liderët kanë zhvilluar takime me njëri-tjetrit dhe më pas me delegacionet e tyre, me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve për arritjen e një marrëveshjeje për denuklearizim.

“Nëse nuk do të isha në gjendje ta bëja këtë, nuk do të kisha këtu sot”, u ka thënë Kim gazetarëve përmes një përkthyesi kur është pyetur nëse është në gjendje të heqë dorë nga armët bërthamore.

Megjithatë, lideri verikorean nuk ka treguar në detaje se çfarë nënkupton ai me proces të denuklearizimit.

Derisa Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Koreja Veriore të denukelarizohet, verikoreanët kërkojnë heqjen e mbulesës bërthamore amerikane për aleatët e SHBA-së siç janë Koreja Jugore dhe Japonia.

Ndërkohë, presidenti Trump ka përsëritur edhe një herë që nëse verikoreanët heqin dorë nga ky program, Koreja Veriore ka kapacitet që shumë shpejt të kthehet në fuqi ekonomike.