Fjalë Kyçe

Trump dhe XI arrijnë marrëveshjen për tarifat tregtare

Trump dhe XI arrijnë marrëveshjen për tarifat tregtare

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, kanë arritur marrëveshjen e shumëpritur tregtare për tarifat e eksporteve.

Lajmi është ndarë nga vetë Trump përmes medias sociale Truth Social, ku ka bërë me dije se SHBA-të do të tarifojnë mallrat kineze me tarifa 55% dhe nga ana tjetër, Kina do të ruajë një nivel 10% të taksimit për mallrat amerikane.

E gjitha çfarë pritet është miratimi përfundimtar i marrëveshjes dhe hyrja në fuqi e saj.

Më parë, SHBA-të dhe Kina thanë se kishin rënë dakord në parim për një kornizë për uljen e tensioneve tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Muajin e kaluar, Washingtoni dhe Pekini ranë dakord për një armëpushim të përkohshëm mbi tarifat tregtare, por që atëherë secili vend ka akuzuar tjetrin për shkelje të marrëveshjes.

“Magnetet e plota dhe çdo metal i rrallë i nevojshëm do të furnizohet paraprakisht nga Kina. Po kështu, ne do t’i ofrojmë Kinës atë që është rënë dakord, duke përfshirë studentët kinezë që përdorin kolegjet dhe universitetet tona (gjë që gjithmonë më ka pëlqyer mua!)”, shkroi Trump ndër të tjera.

“Ne po marrim një total prej 55% tarifash, Kina po merr 10%. Marrëdhënia është e shkëlqyer!”.

Eksportet kineze të mineraleve të rralla të tokës, të cilat janë thelbësore për teknologjinë moderne, ishin në krye të agjendës së takimit në Londër.

Pas bisedimeve, Sekretari i Tregtisë i SHBA-ve, Howard Lutnick, tha se marrëveshja midis dy vendeve duhet të rezultojë në zgjidhjen e kufizimeve për mineralet e rralla të tokës dhe magnetet.

SHBA-të e kanë kritikuar Kinën, duke thënë se ka qenë e ngadaltë në lirimin e eksporteve të metaleve të rralla të tokës dhe magneteve, të cilët janë thelbësorë për prodhimin e gjithçkaje, nga telefonat inteligjentë deri te automjetet elektrike.

Ndërkohë, Uashingtoni ka kufizuar aksesin e Kinës në mallrat amerikane, siç janë gjysmëpërçuesit dhe teknologjitë e tjera të lidhura me inteligjencën artificiale (IA).

“Ne kemi arritur një kornizë për të zbatuar konsensusin e Gjenevës,” u tha Lutnick gazetarëve.

“Sapo presidentët ta miratojnë atë, ne do të përpiqemi ta zbatojmë atë”, shtoi ai.

Raundi i ri i negociatave pasoi një telefonatë midis Donald Trump dhe udhëheqësit të Kinës Xi Jinping javën e kaluar, të cilën Presidenti i SHBA-ve e përshkroi si një “bisedë shumë të mirë”.

“Të dy palët, në parim, kanë arritur një kornizë për zbatimin e konsensusit të arritur nga dy krerët e shteteve gjatë telefonatës më 5 qershor dhe konsensusi i arritur…” në takimin e Gjenevës”, tha zëvendësministri i Tregtisë i Kinës, Li Chenggang.