Një ndihmës i lartë i Shtëpisë së Bardhë thotë se presidenti Donald Trump me gjasë do të mbajë një samit në Florida, gjatë muajit mars, me homologun e tij kinez, Xi Jinping, teksa dy shtetet pritet të finalizojnë marrëveshjen tregtare.
Këshilltari për ekonomi i Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow tha për Fox Business se Trump dhe Xi mund të nënshkruajnë një marrëveshje të re, kur ata të takohen në Mar-a-Lago.
“Ende nuk është definitive… por, unë mendoj se mund të pritet në një e tillë”, u shpreh Kudlow.
Kudlow tha se marrëveshja e re tregtare do të paraqiste “një revolucion” në marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë.
Ai tha se marrëveshja do të përfshinte masa mbrojtëse dhe se SHBA-ja do të rriste tarifat nëse Kina shkelë kushtet e marrëveshjes.
Më 24 shkurt, presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se planifikon të vonojë rritjen e tarifave mbi mallrat kineze, duke shtuar se është bërë “përparim substancial” në negociatat e fundit me Pekinin.
Lufta tregtare ndërmjet dy superfuqive ka tronditur tregjet globale dhe ka rritur frikën se mund të ngadalësojë ekonominë në mbarë botën.
Për një kohë të gjatë, Trump është ankuar për praktikat tregtare të Kinës. Trump dhe Xi ishin takuar në Mar-a-Lago në samitin e mbajtur në prill të vitit 2017.