Presidenti Donald Trump, ka emëruar Drejtor të Inteligjencës Kombëtare, ambasadorin amerikan në Gjermani Richard Grenell.
Lajmin e ka konfirmuar presidenti Trump përmes një postimi në Twitter.
“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se Ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard grenell, do të bëhet Drejtori i Inteligjencës Kombëtare. Rick ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të. Faleminderit Joe Maguire për punën e mrekullueshme që ka bërë ”, ka shkruar Trump.
Grenell do ta zëvendësojë Joseph Maguire, i cili ka shërbyer si Drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare që nga dorëheqja e Dan Coats, një ish senator republikan nga Indiana.
Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është CIA.
Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.