Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se dërgimi i ushtrisë në Venezuelë “është opsion”, duke treguar se ai ka refuzuar një takim me presidentin Nicolas Maduro.
“Sigurisht, (dërgimi i ushtrisë) është opsion”, tha Trump gjatë një interviste për CBS.
Trump tha se muaj më parë presidenti i Venezuelës, Maduro i ka kërkuar takim, por ai e ka refuzuar.
Shtetet e Bashkuara e kanë njohur si udhëheqës të Venezuelës Juan Guaidon, i cili është vetëshpallur president i përkohshëm i këtij shteti më 23 janar.
Dhjetëra mijëra persona në Venezuelë po protestojnë kundër Qeverisë së Maduros, duke kërkuar që ai të largohet nga pushteti.
Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe shtetet kyçe të rajonit – përfshirë Brazilin, Kolumbinë dhe Argjentinë – tashmë kanë shprehur mbështetjen e tyre për Guaidon.
Shtetet e tjera, përfshirë Rusinë – që kanë lidhje të ngushta ushtarake me Qeverinë socialiste të Venezuelës – mbështesin Nicolas Maduron, përcjell REL.
Maduro, i cili ka ardhur në pushtet më 2013, pas vdekjes së Hugo Chavez, është kritikuar për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe për mënyrën se si ka menaxhuar krizën ekonomike në vend.