Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të pauzojë vendosjen e tarifave të planifikuara ndaj Meksikës për një muaj, duke shtuar se negociatat do të vazhdojnë për arritjen e një “marrëveshjeje” mes dy shteteve.
Trump, në një postim në rrjetet sociale pas bisedës telefonike që ka zhvilluar me homologen meksikane, Claudia Sheinbaum, tha se ai do të marrë pjesë në bisedime me palën meksikane, së bashku me udhëheqësit e Departamentit amerikan të Shtetit, Thesarit dhe Tregtisë.
“Ne u pajtuam për pauzimin e menjëhershëm të tarifave të planifikuara për një muaj, periudhë gjatë së cilës ne do të zhvillojmë negociata. Mezi pres pjesëmarrjen në këto negociata së bashku me presidenten Sheinbaum, teksa ne tentojmë të arrijmë një ‘marrëveshje’ mes dy shteteve tona”, shkroi Trump.
Edhe presidentja meksikane njoftoi për pauzimin e tarifave dhe shtoi se ekipet do të nisin punën që sot në dy fusha: sigurinë dhe tregtinë.
Gjatë fundjavës, Trump urdhëroi vendosjen e tarifave prej 25 për qind ndaj të gjitha mallrave, ndërkaq Meksika u përgjigj po ashtu me tarifa, por pa specifikuar se cilat produkte do të shënjestronin.
Gjatë bisedës me Trumpin, Sheinbaum tha se shteti i saj është pajtuar që të dërgojë 10.000 trupa të Gardës Kombëtare në kufirin me SHBA-në për të ndalur kalimin e drogave në SHBA, veçmas të fentanilit.
Ndërkaq, presidenti amerikan tha se trupat meksikane po ashtu do të punojnë që të ndalin emigrantët ilegalë që të hyjnë në SHBA.
Përveç Meksikës, Trump ka urdhëruar vendosje të tarifave edhe për Kanadanë dhe Kinën, shtete që kanë kërcënuar se do të ndërmarrin veprime hakmarrëse, por edhe kanë bërë thirrje për bisedime tregtare në vend të tarifave. Tarifat amerikane mund t’i rrisin çmimet për konsumatorët dhe t’i dëmtojnë ekonomitë e të gjitha palëve të përfshira.
Trump ka thënë se ai i ka vendosur këto tarifa ndaj fqinjëve të SHBA-së derisa të ndalet fluksi i emigrantëve dhe i fentanilit të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan kishte deklaruar se të gjitha mallrat nga Kanadaja dhe Meksika do të goditeshin me 25 për qind tarifa, ndërkaq produktet energjetike kanadeze me 10 për qind. Po ashtu, një taksë prej 10 për qind do të vendoset për mallrat nga Kina, përveç tarifave të vendosura më herët.
Vendimi për tarifa ndaj këtyre shteteve – përjashtuar Meksikën – pritet të hyjë në fuqi më 4 shkurt./REL