Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump tha të martën se nuk do të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe Grenlandës, pasi ai deklaroi se kontrolli i SHBA-së mbi të dyja është jetik për sigurinë kombëtare amerikane, shkruan AP.
Duke folur me gazetarët më pak se dy javë para se të marrë detyrën më 20 janar dhe ndërsa një delegacion ndihmësish dhe këshilltarësh që përfshin Donald Trump Jr është në Grenlandë, Trump la të hapur përdorimin e ushtrisë amerikane për të siguruar të dy territoret.
Synimi i Trump shënon një refuzim të politikës së SHBA-së për dekada, që i ka dhënë përparësi vetëvendosjes mbi zgjerimin territorial, transmeton Telegrafi.
“Unë nuk do të angazhohem për këtë”, tha Trump, kur u pyet nëse ai do të përjashtonte përdorimin e ushtrisë.
“Mund të jetë që ju duhet të bëni diçka. Kanali i Panamasë është jetik për vendin tonë”, shtoi ai.
“Ne kemi nevojë për Grenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare”, theksoi ndwr tjera Trump.
Grenlanda është një territor autonom i Danimarkës, një aleat i vjetër i SHBA-së dhe një anëtar themelues i NATO-s.
Trump, ka kërkuar gjithashtu që Kanadaja të bashkohet me Shtetet e Bashkuara, por ai tha se nuk do të përdorte forcën ushtarake për ta bërë këtë, duke thënë se do të mbështetej në “forcën ekonomike”.
Duke premtuar një “epokë të artë të Amerikës”, Trump tha gjithashtu se do të përpiqej të riemërtonte Gjirin e Meksikës si “Gjiri i Amerikës”, duke thënë se kjo ka një “unazë të bukur”.