Në një mënyrë të çuditshme, Donald Trump tha se rivalja e tij presidenciale demokrate Kamala Harris i ngjan gruas së tij Melania Trump në intervistën e tij me Elon Musk të hënën mbrëma.
Ish-presidenti iu bashkua miliarderit të teknologjisë në X Spaces për atë që u pa si një “bisedë” që ndryshon lojën, por në të vërtetë përfundoi duke qenë një intervistë shumë miqësore që zgjati më shumë se dy orë.
Në intervistë, Trump filloi në një kritikë të ashpër ndaj Harris duke e quajtur atë një udhëheqëse “të tmerrshme”, përpara se ai të shkonte drejt komentimit për pamjen e saj “të bukur”.
“Ne kemi nevojë për njerëz të zgjuar dhe njerëz që kanë aftësinë për të udhëhequr. Ajo nuk e ka atë aftësi. A mund ta imagjinoni atë me kryetarin Xi [Jinpin, President i Republikës Popullore të Kinës]”, tha ai.
Musk pranoi se “do të ishte marrëzi”.
“Ajo është e tmerrshme, ajo është e tmerrshme”, shtoi Trump, shkruan The Independent, transmeton Gazeta Express.
Ish-presidenti më pas filloi papritmas të fliste për pamjen e Harris, duke bërë krahasimin mes saj dhe ish-zonjës së parë.
“Pashë një foto të saj në Time Magazine sot. Ajo duket si aktorja më e bukur që ka jetuar ndonjëherë”, tha Trump për Harris, duke iu referuar edicionit të fundit të Time Magazine, e cila e cilëson fushatën e Harris si “ndryshimin më të shpejtë të atmosferës në historinë moderne politike”.
“Ajo i ngjante shumë zonjës sonë të parë të mrekullueshme Melania”, tha Trump, ndërsa Musk e pranoi komentin e tij me një nënqeshje të sikletshme dhe një rezervë, “po…”
“Ajo nuk dukej si Camilla,” tha Trump, duke ndryshuar qëllimisht emrin e Harris. “Sigurisht, ajo është një grua e bukur dhe ne do ta lëmë me kaq”.
“Epo, po, mirë, e dini,” tha Musk, përpara se të përpiqej të ndryshonte temën dhe të hynte në një monolog për ëndrrën amerikane.