Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, fali rreth 1.500 mbështetës të tij që e kishin sulmuar ndërtesën e Capitol-it para katër vjetëve. Ai nisi të merrte vendime vetëm disa orë pas rikthimit në pushtet të hënën.
Pas ditës ceremoniale, Trumpi nënshkroi një varg veprimesh ekzekutive për ta kufizuar imigrimin dhe për të kthyer prapa rregullore për mjedisin e nisma për diversitetin racor e gjinor. Ai nuk ndërmori veprime të menjëhershme për ngritjen e taksave, premtim kyç i fushatës, por tha se mund t’u vendosë tarifa prej 25 për qind Kanadasë dhe Meksikës nga 1 shkurti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ky paralajmërim shkaktoi rënie të vlerës së valutës meksikane për 1 për qind kundrejt dollarit amerikan, ndërsa vlera e dollarit kanadez ra në pikën më të ulët në pesë vjet.
Vendimi i Trumpit për t’i falur mbështetësit që e kishin përkrahur sulmin ndaj Capitol-it më 6 janar 2021 pritet t’i zemërojë policët, ligjvënësit dhe të tjerë që u ishte rrezikuar jeta gjatë një episodi të pashembullt në historinë moderne të ShBA-së.