Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se mund ta shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare për imigrimin në mënyrë që ta ndërtojë murin përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.
Përderisa mbyllja e pjesshme e qeverisë ka hyrë në ditën e gjashtëmbëdhjetë, Trumpi kërcënoi se do të ndërmarrë masa të jashtëzakonshme që ta anashkalojë Kongresin, ku demokratët po refuzojnë ta miratojnë pagesën prej 5.6 miliardë dollarësh për ndërtimin e murit. Udhëheqësja e re e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka thënë se ky mur është imoralitet dhe ka refuzuar ta mbështesë idenë e Trumpit.
Përmes shpalljes së emergjencës kombëtare, Shtëpia e Bardhë synon t’i zhbllokojë fondet pa miratimin e Kongresit, ndonëse nuk janë dhënë hollësi të saktësuara për këtë lëvizje. Akti i Emergjencave Kombëtare, i miratuar në vitin 1976, ia jep presidentit të drejtën për të ndërmarrë veprime të njëanshme në kohë krizash.
Duke dalë nga Shtëpia e Bardhë për të shkuar në takim me demokratët, Trumpi tha se 800 mijë punëtorët e mbetur pa paga pajtohen 100 për qind me atë që është duke bërë. “Mund të marr vendim për emergjencë kombëtare varësisht nga ajo që do të pasojë në ditët e ardhshme. Kam mbështetje të jashtëzakonshme brenda Partisë Republikane”, tha ai, shkruan “The Guardian”.